Edhe disa ish-luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës pritet që së shpejti të jenë “mysafirë” të prokurorëve të Tribunalit Special në Hagë. Janë dhjetëra ftesa që u janë dërguar së fundmi ish-pjesëtarëve të UÇK ‘së nga Haga. Kështu ka deklaruar për Express, të mërkurën kreu i OVL’UÇK’së, Hysni Gucati.
Ish-eprori i lartë i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Naim Maloku e ish-deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e AAK-së, Time Kadrijaj, janë dy personat që së fundmi kanë dhënë deklaratat e tyre në zyrat e prokurorit të specializuar si të ftuar si dëshmitarë në Gjykatën Speciale.
Por këta dy nuk do të jenë të vetmit të cilët do të ulën në bankë përpallë prokurorëve të speciales.
Rendin tash e ka ish-ushtruari i UÇK’së nga rajoni i Dragashit, Lulzim Kabashi. Ai më datë 24 të këtij muaji pritet që të intervistohet nga prokurorët special rreth veprimtarisë që e ka kryer gjatë luftës së funtit në Kosovë.
Lajmin për ftesën e ka konfirmuar për Express të mërkurën kreu i OVL’UCK’së, Hysni Gucati.
“Është një ftesë e re që ka mbërri në Dragash të një bashkëluftëtar i joni. Të premten i ka mbërri ftesa. Kanë ardhë edhe ftesa të tjera. Emrat ende nuk i dimë por ka edhe të reja. Janë disa që kanë ardhë. Lulzim Kabashi me datë 24 do të shkojë të lajmërohet”, ka deklaruar Gucati.
Ai tutje është shprehur se intervistimin e ka kryer ish-kreu i komunës së Klinës, Sokol Bashota.
“Sokol Bashota sot kthehet pas intervistimit”, thotë ai.
E ndërkohë intervistimi i fundit i ish-ushtarëve të UÇK’së sipas Gucatit do të bëhet më 2 tetor ku do të merret në pyetje një ish-luftëtarë nga rajoni i Suharekës.
“Më dy tetor do të intervistohet personi i fundit i cili është thirrur nga specialja. Ai është një veteran i UÇK’ së nga komuna e Suharekës”, thotë ai.
g.kosovari