Irani do të konsiderojë bisedimet me SHBA-në nëse Uashingtoni tregon dashamirësi, deklaroi sot presidenti iranian, Hasan Rohani.
”Negociatat ku SHBA vendos Iranin nën presion maksimal nuk do të jenë të mundura. Në asnjë vend të botës nuk pranohen bisedime në kushte të tilla”, theksoi ai.
Marrëdhëniet midis Uashingtonit dhe Teheranit janë përkeqësuar që kur SHBA u tërhoq nga marrëveshja bërthamore e vitit 2015 midis Iranit dhe fuqive të mëdha. SHBA vendosi sanksione si pjesë e një fushate me presion maksimal për të detyruar Iranin të diskutojë një marrëveshje më të gjerë që shkon përtej programit bërthamor.
Ka spekulime se përveç se në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara javën e ardhshme në Nju Jork, Rohani mund të zhvillojë bisedime me presidentin e SHBA-së, Donald Trump, megjithëse ai u shpreh se do të konsiderojë të diskutojë vetëm në prani të pesë partnerëve të tjerë të marrëveshjes bërthamore: Kinës, Rusisë, Francës, Britanisë së Madhe dhe Gjermanisë.
Komentet e Rohanit vijnë një ditë pasi udhëheqësi i lartë i Iranit, ajatollahu Ali Khamenei deklaroi se asnjë negocim i asnjë niveli nuk do të ndodhte midis Iranit dhe SHBA-së nëse Uashingtoni nuk bëhet përsëri pjesë e marrëveshjes bërthamore.
/a.r