Rezervat e shtetit janë kthyer këto ditë në zyra ankandesh, për shkak të rritjes së volumeve të shitjes së mallrave të sekuestruara nga aksioni antinformalitet.
Buletini i Prokurimeve publike është mbushur këtë muaj me njoftimet e drejtorive të rezervave të shtetit, të cilat në respekt të ligjit duhet të shesin me ankand, qoftë edhe një koli me ujë të sekuestruar.
Mallrat e sekuestruara dhe të nxjerra në shitje, në fakt janë edhe pasqyra e aksionit antiinformalitet të zhvilluar kohët e fundit. Pajisje parukerish, lokalesh, riparim këpucësh dhe lavazhi, madje edhe rroba të përdorura, kanë në dalë në shitje pasi janë konfiskuar më parë nga administrata tatimore.
Në një ankand të pak ditëve më parë Drejtoria e Rezervave të shtetit në Rrugën e Elbasanit në Tiranë, nxori një shitje mallrat sekuestruara me vlerë rreth 3.9 milionë lekë. Ky është një nga dhjetëra ankandet që zhvillohen nga Drejtoritë e Rezervave të shtetit në të gjithë vendin.
Megjithë vlerat e ulëta me të cilat dalin në shitje, mallrat e sekuestrove në shumë raste dështojnë se nuk ka blerës, kjo pasi duhen plotësuar disa procedura dhe dokumente, të cilat kërkojnë kohë.
Në udhëzimet për trajtimin mallrave të konfiskuara përcaktohet se me kalimin e 15 ditëve kalendarike nga sekuestrimi i pasurisë, pasuria e sekuestruar konfiskohet nga administrata tatimore dhe shitet në ankand publik, në përputhje me dispozitat procedurale të ligjit për ankandin publik.
Të ardhurat nga shitjet përdoren fillimisht për të paguar shpenzimet e shitjes dhe më pas zbatohet radha e pagesës. Shuma e mbetur i kthehet tatimpaguesit brenda pesë ditëve pune nga data e përfundimit të ankandit. Monitor