Sipas statistikave zyrtare të ministrisë së Financave dhe Ekonomisë për periudhën janar-gusht, në arkën e shtetit mungojnë rreth 35 milionë euro të ardhura. Kjo ka bërë që të ulet shumë edhe realizimi i parashikuar i shpenzimeve kapitale (investimeve). Ndërkohë, bilanci buxhetor ka kaluar në terren negativ, ndërkohë që në fund të gushtit të vitit të kaluar shënohej suficit.
Të ardhurat
Të ardhurat e përgjithshme buxhetore, sipas bilancit zyrtar të ministrisë, kanë qenë rreth 305.9 miliardë lekë në periudhën 8-mujore. Kjo shifër është më e madhe se një vit më parë, kur janë shënuar 293.8 miliardë lekë, por, në raport me objektivat e parashikuar kur është miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë Buxheti i Shtetit për këtë vit, kemi të bëjmë me një nivel më të ulët. Sërisht ka zhgënjyer mbledhja e detyrimit kryesor, që është Tatimi mbi Vlerën e Shtuar (TVSH). Në tetë muajt e vitit shifra kumulative është 90.4 miliardë lekë, por planifikimi ka qenë 98.9 miliardë. Kështu, rezultati është 8 për qind poshtë shifrës së synuar, me një “gropë” në masën 8.3 miliardë lekë.
Ndërkohë, këto rezultate zbuten disi nga fakti që të gjithë zërat e tjerë në sektorin e të ardhurave buxhetore janë në terrenin pozitiv. Rezultati më i lartë shënohet në tatimin mbi fitimin, nëpërmjet të cilit janë arkëtuar 24.6 miliardë lekë, kur ishin planifikuar 22.1 miliardë, me një tejkalim në masën 11 për qind. Po kështu, edhe tatimi mbi të ardhurat personale ka sjellë në arkën e shtetit 31.7 miliardë lekë, nga 28.3 miliardë të planifikuara, me një tejkalim në masën 12 për qind. Këto dy tatime kanë një vazhdimësi pozitive me tejkalime të objektivave në më shumë se një vit.
Shpenzimet
Në total, shpenzimet buxhetore nga janari deri në fund të gushtit kanë qenë 309.4 miliardë lekë, ndërkohë që planifikimi ishte 313.6 miliardë. Me 4.2 miliardë lekë mosrealizim, ose sa 99 për qind e objektivave. Për të paguar interesat e borxhit publik janë shpenzuar nga arka e shtetit 22 miliardë e 777 milionë lekë, ose gati 187 milionë euro. Ndërsa për bonusin e të porsalindurve janë paguar 1 miliard e 430 milionë lekë.
Shpenzimet kapitale (investimet publike) duket se kanë pësuar më shumë nga mosrealizimi i të ardhurave. Ato janë realizuar në masën 38.1 miliardë lekë, nga 43.7 miliardë të planifikuara, sa 87% e objektivit dhe me një deficit në masën 5.7 miliardë lekë.
Si pasojë e kësaj performance, buxheti në fund të gushtit rezulton me një bilanc negativ: deficiti buxhetor është 3.5 miliardë lekë, ndërkohë që një vit më parë ka qenë në suficit 4.1 miliardë lekë. /l.m