Partia Demokratike, përmes nënkryetarit Edmond Spaho, hodhi sot poshtë shifrat e publikuara nga Qeveria në lidhje me investimet në sistemin energjetik.
Në një deklaratë për shtyp, nënkryetari Spaho tha se paratë e mbledhura nga aksioni kundër debitorëve të energjisë nuk u janë kthyer mbrapsht qytetarëve në formën e investimeve në rrjet.
“Milionat që OSHEE ka dhënë për deputetë të Edi Ramës, kandidatë për kryetarë bashkie apo donatorë të Partisë Socialiste apo LSI-së, kryesisht janë ndarë me negocim pa shpallje gare. Bëjnë pasuri me këto miliona deputetë dhe klientela e Edi Ramës, teksa lihen në errësirë fëmijë të porsalindur, pleq të vetmuar dhe çohen në burg njerëzit e pamundur”, tha Spaho.
Sipas opozitës, mosfunksionimi i hidrovoreve gjatë përmbytjeve të fundit dhe ndërprerjet e energjisë janë dëshmi e faktit se nuk është investuar në rrjet.
“Për çfarë duheshin marrë me dhunë këto para kur nuk investohet në përmirësimin e furnizimit me energji e evidentuar tek hidrovorët që nuk punonin gjatë përmbytjeve apo tek ndërprerja e vazhdueshme e dritave kudo në vend”,’ pyet nënkryetari i PD-së.
PD denoncoi sërish si korruptiv tenderin për godinën e re të OSHEE-së dhe dy të tjerë për shërbimin e ruajtjes dhe sigurisë fizike.
Ndërsa Partia Socialiste hodhi sot poshtë akuzat e opozitës lidhur me investimet në sistemin energjetik. Në një deklaratë për mediat, deputeti socialist Ervin Bushati tha se vetëm në dy vitet e fundit po investohet më shumë se në gjashtë vitet e marra së bashku, të qeverisjes së Partisë Demokratike.
“Këtë vit po investohet më shumë se në 6 vitet e marra së bashku të qeverisjes së PD-së. Janë mbi 335 milionë dollarë investime të garantuara për sektorin energjetik vetëm në këto dy vite qeverisje. Nga një gërryes i vazhdueshëm i buxhetit të shtetit, sektori energjetik është kthyer tanimë në kontribues me kohë të plotë të zhvillimit ekonomik”, deklaroi deputeti i PS-së.
Sipas Bushatit, ulja e humbjeve në rrjet ka rënë në 25 për qind nga 45 për qind që ishte në kohën e qeverisjes së demokratëve. “Janë të njëjtët që inkurajuan, shtynë dhe toleruan paligjshmërinë në pagesat e energjisë elektrike. Ata mohuan gjithçka që bëri ky shtet. Vetëm në 9 muajt e parë janë arkëtuar më shumë se gjithë viti i tyre më i mirë. Në kohën që ata akuzojnë humbjet në rrjet ishin 45 %, ndërsa në shtator u shënua rekordi historik me 25 % humbje teknike në rrjet”, u shpreh Bushati.