“Sot kemi një trupë mësimore të mbrojtur nga sulmet e jashtme të politikës, apo nga kthetrat e politikës, apo nga imponimet e deri djeshme të korrupsionit dhe ryshfetit”.
Kështu deklaroi kryeministri Edi Rama teksa ishte i pranishëm në inaugurimin e shkollës së muzikës “Servete Maçi” në Tiranë. I pari i qeverisë pohoi se tashmë statusi i mësuesit ka ndryshuar, ndërsa nuk përjashtoi edhe faktin se ende ka probleme për t’u adresuar.
“Meritojnë një falënderim të veçantë prindërit që nuk e pranuan një vendimmarrje të gabuar që të ndërtohej një pallat. Shkolla si një pasuri e përbashkët në terrenin e saj i mbijetoi lakmisë dhe faktikisht ja ku jemi sot. Sot kemi një sistem mësimor më cilësor dhe miqësor me nxënësit. Mbi të gjitha kemi një trupë mësimore të mbrojtur nga sulmet e jashtme të politikës, apo nga kthetrat e politikës, apo nga imponimet e deri djeshme të korrupsionit dhe ryshfetit. Jo gjithçka është flori, pasi brenda këtij procesi ka elemente që duhet të adresohen. Ka raste që e gjitha shëmtohet nga shkelja e rregullave dhe tejkalimi i kornizës së funksionimit administrativ. Nga marrëdhënie të paligjshme mes individësh. Por nëse shohim sistemin e funksionimit të shkollës sot, kemi status tjetër të mësuesve”, tha Rama.
Po ashtu kryeministri u ndal edhe tek ankesat e disa prindërve në lidhje me nismën e qeverisë për shpërndarje të librave flas, të cilët janë të përdorur.
“Ruajtje e librave dhe të tjerave që vinë pas nuk është thjesht çështje materiale. Por dhe një çështje edukimi dhe dashurie për të. Qysh të vegjël jemi mësuar se është miku më i mirë dhe si miku më i mirë duhet trajtuar me respekt dhe kujdes maksimale. Nëse do të ishte çështje materiale, vende të zhvilluara më shumë se ne si; Suedia, Kanadaja e Gjermania, nuk do kishin këtë praktikë. Ndaj nëse do të duhet të marrësh libra falas, duhet t’i kalosh te ai që vjen pas, të mirëmbajtur. Besoj se rezultati i këtij viti ka qenë dhe më pozitiv”, tha Rama, ndërsa nuk kurseu në mbyllje të fjalimit të tij edhe ironitë, duke shtuar se; “Po ju mori malli, më keni në frigorifer në vijim, se në televizor po e po”.
/a.r