Ditën e sotme do të nisë viti i ri shkollor 2019-2020. Ministria e Arsimit konfirmoi për Shqiptarja.com se në bankat e shkollës këtë të hënë do të ulen për herë të parë 24 mijë në klasën e parë. Ndërkohë që 272 mijë janë në sistemin 9-vjeçar dhe 90 mijë nxënës në gjimnaz.
Në total ditën e sotme do u drejtohen shkollave 386 mijë nxënës. Nga klasa e parë deri në të pestën librat u shpërndanë falas këtë vit shkollor.
Nisja e vitit të ri shkollor është edhe ndër periudhat më të vështira për shumë familje, pasi shpenzimet për të kompletuar fëmijën me libra dhe rroba janë relativisht të larta.
Ndërkohë që edhe policia ka marrë masat në nisje të vitit të ri shkollor. Përpos regjimit të ri që nis nesër në Tiranë, sipas policisë furgonët të cilët transportojë fëmijë dhe nxënës shkolle do t’i nënshtrohen një kontrolli të rreptë për përdorimin e rripave të sigurimit.
/a.r