Nga Denis Dyrnjaja
Turpi i madh që pas 30 vitesh duhet ndërmjetës ndërkombëtar për të zgjidhur “skuthllëqet” e shtetpolitikës sonë. Ne rrimë e presim çfarë tha Merkel, Brukseli apo Washingtoni.
Kjo jo se këta njerëz që merren sot e 30 vjet me politikë në Shqipëri, nuk dinë të merrem vesh dhe kanë nevojë për ndërmjetës, (madje merren vesh brenda orës kur duan), por s”kanë si merren vesh kur janë të pasinqertë me atë që promovojnë dhe se çfarë në realitet synojnë.
Këta nuk merren vesh se nuk duan shtet të vërtetë me ligje dhe nënshtrim ndaj tyre. Këta të gjithë duan pseudoshtet për të përfituar dhe pasuruar padrejtësisht. Ky është qëllimi dhe misioni të bëjmë sikur po bëjmë duke bërë diçka sa për të justifikuar rrëmbimin e shumëçkaje.
Si rrjedhim ngaqë e dinë dhe e njohin njëri tjetrin se ç”janë në brendinë e tyre, si janë dhe çfarë synimesh kanë niveli i mosbesimit dhe shantazheve ndërsjellas është në maksimum.
Kur njëra palë akuzon tjetrën, nuk merr përgjigje për akuzën por merr një kundërakuzë të ngjashme ose një kod shantazhi të tipit (i kujtoj X ose Y se….). Dhe ironia është se të gjithë bëjnë sikur po iu “digjet” shpirti e zemra për kushtetutën e demokracinë.
Hipokrizi e mashtrim i stolisur me demagogji. Dhe në këtë mënyrë ne përveç se sorollatemi kot për të kuptuar dhe pritur zgjidhjen e “pseudokrizës” u diskredituam si popull që nuk bëjmë dot shtet sepse ca lakenj dhe uzurpatorë kanë zaptuar përfaqësimin politik nëpërmjet skemave që kanë hartuar dhe menaxhojnë prej 30 vjetësh.
Ata janë ndarë në grupe dhe herë bashkëpunojnë dhe herë luftojnë kundër njëri tjetrit në emër të parimeve, por në fakt e bëjnë thjeshtë për përfitime. Kaq është e gjitha: janë marrë vesh që të mos merren vesh!