Një zjarr i fuqishëm ka shkrumbuar mëngjesin e sotëm katin e tretë të një pallati në fshatin Zallë të Fushë-Krujës.
Zjarri ka rënë në një nga hyrjet e katit të tretë ku nga flakët ka marrë flakë çatia e pallatit dhe zjarri për pasojë është shpërndarë në të gjithë katin pasi çatia e tij ishte tepër e vjetër dhe në shumë vende e ndërtuar me materiale druri të vjetër. 4 fëmijë kanë pësuar asfiksi dhe është dashur ndërhyrja e shërbimit të urgjencës për stabilizimin e gjendjes së tyre.
Nga zjarri janë djegur 4 hyrje dhe katër familje kanë mbetur në qiell të hapur. Për shuarjen e zjarrit janë angazhuar zjarrfikësja e Krujës dhe ajo e Vorës si dhe disa bote uji të bizneseve private të Fushë-Krujës.
Dhe pse ndërhyrja e zjarrfikësve ka qenë e shpejtë, ka qenë e pamundur të evitohej djegia e tërë katit pasi zjarri i favorizuar nga era dhe nga materialet drusore të stazhionuara është përhapur me shpejtësi.
Shkak i zjarrit paraprakisht mendohet të jetë një shkëndijë elektrike si pasojë e luhatjeve të tensionit.
Dyshohet se shkak i zjarrit ka qenë një shkëndijë elektrike në banesë. Forcat zjarrfikëse ndodhen në vendngjarje.
Siç shihet edhe nga pamjet e filmuara nga gazetari i News24 Preng Shota, flakët kanë qenë të fuqishme, duke sjellë shkatërrimin e plotë të çatisë.