Bashkia Mat nisi sot aksionin për heqjen e kioskave të vendosura në mënyrë të paligjshme në hapësirat publike të qytetit të Burrelit.
“Kioskat dhe barakat e vendosura vend e pa vend në qytetin e Burrelit, ku kishin zënë një pjesë të madhe të hapësirave publike, ishin të jashtëligjshme dhe i jepnin një pamje të shëmtuar qytetit”, tha kryetari i bashkisë Mat, Agron Malaj.
Ai shtoi se sot u bë e mundur heqja e disa prej tyre dhe puna do të vazhdojë edhe për lirimin e hapësirave të tjera në çdo cep e vend ku ka të tilla.
“U bëj thirrje të gjithë qytetarëve të bashkëpunojmë për të mirën e vendit tonë. Pazari i ri dhe tregu i fruta-perimeve ofrojnë shërbimet e duhura për çdo qytetar dhe tregtar, prandaj nuk është e nevojshme dhe e drejtë që të zaptohen hapësirat publike”, tha ai.