Agnesa 13 vjeç, Driola 11 dhe Ariona 8, janë tri vajzat me prejardhje nga Kosova por që jetojnë në Gjermani, të cilat prej vitesh dhurojnë flokët e tyre për fondacionin “Deutsche Kinder krebs Hilfe”, për fëmijët që vuajnë nga sëmundjet e kancerit.
Në një bisedë për Indeksonline, nëna e tyre Kosovare Spahiu- Sahiti tregon se nga i erdhi ideja për dhurimin e flokëve.
“Fillimisht kam dëgjuar nga motra ime që është parukiere, ajo tha që ishte një veprim që ato që i presin flokët t’i dhurojnë për bamirësi, që do të thotë se flokët e tyre bëhen paruke. Vajzat e mia pasi e dëgjuan këtë bisedë mes meje dhe motres shprehen dëshirë që t’i dhurojnë. Flokët e tyre duhet të ishin pa ngjyra, pa kemikale dhe së paku 30 centimetra të gjata”, ka thënë ajo gjatë bisedës.
“Motra ime i mbledh flokët i zenë kocel dhe i dërgon në Munchen. Ne do të vazhdojmë ta praktikojmë t’i dhurojmë flokët së paku një herë në vit sepse këtu varet edhe nga vullneti i Zotit, aq sa do t’iu rriten”, ka treguar Kosovarja.
“Mendoj se çdo vajzë do të duhej të vepronte kështu, dhe do të ishte mirë që një akcion i tillë të praktikohet edhe në Kosovë, është bamirësi që i bën të lumtur shumë njerëz të tjerë, t’i bëjmë të lumtur e t’ua kthejmë buzëqeshjen sado pak”, thotë Spahiu- Sahiti.
Kosovarja thotë se është në biseda edhe me disa parukiere nga Kosova, kjo me qëllim që flokët e vajzave të saj të jepen për fëmijët e sëmurë nga Kosova. /l.m