Deputeti i opozitës në parlament, Albana Zeneli në vijim të qëndrimit në SHBA zhvilloi takime në Kongresin Amerikan me kolegë republikanë, me të cilët bisedoi mbi zhvillimet më të fundit në Shqipëri dhe mbi rëndësinë madhore që vendi ynë të ecë vazhdimisht dhe pa ndalje në udhëtimin e saj të demokratizimit vetëm duke mbajtur si busull drejtuese Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ndërsa ka postuar foto të takimeve me kongresmenë në SHBA, Zeneli shkruan se në biseda u diskutua për rëndësinë jetike që ka për Shqipërinë, kryerja deri në fund dhe me sukses të plotë e Reformës në Drejtësi.
“Gjithashtu si prioritet mbi prioritetet të kemi së bashku me SHBA edhe realizimin e drejtë, parimor dhe radikal të ndryshimit të Kodit aktual Zgjedhor, për tu dhënë shqiptarëve një Reformë të vërtetë Zgjedhore.
Njëkohësisht u diskutua edhe mbi domosdoshmërinë e një opozitarizmi substancial parlamentar dhe politik të djathtë në Shqipëri, një opozitarizëm proinstitucional, prozgjedhje, proliri dhe properëndim, sidomos pro SHBA.
Perëndimi më i mirë për shqiptarët është SHBA”, shkruan Zeneli, bashkëngjitur fotove nga takimet me kongresmenë në SHBA.
g.kosovari