Në sistemin tonë të drejtësisë ndodh edhe që të humbin prova siç është rasti i videos së një incidenti në Elbasan ku makina e zëvendës-drejtorit të policisë u godit qëllimisht nga një mjet tjetër.
Pamjet që gjenden lehtë në internet humbën gjatë transferimit të dosjes nga Gjykata e Elbasanit në atë të Krimeve të Rënda në Tiranë.
Gjykata ka marrë në shqyrtim sot dosjen në ngarkim të Suel Çela. Ai është një personazh i njohur i botës “së nëndheshme” të Elbasanit.
Gjatë seancës është diskutuar në lidhje me provat që disponohen ndaj Suel Çelës dhe të arrestuarve të tjerë pas incidentit me makinën Audi në tregun ushqimor të Elbasanit. Gjatë seancës doli çështja se disa video ku ishin rregjistruar edhe pamjet e incidentit kishin humbur.
Gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha, ka treguar se kur Prokurori i çështjes është pyetur se si ka humbur kjo video është përgjigjur: Ku e di unë.
Ai është justifikuar me faktin se lëvizja e dosjes së përplasjes së makinës së Policisë në Elbasan, bënë që të humbasin DVD me pamjet e përplasjes.
Për 4 seanca Gjykata për Krime të Rënda kërkoi DVD, të cilat nuk gjendeshin në fashikullin e gjykimit.
“Eksperti që ka kryer akt-ekspertimin për këto prova, nuk kishte bërë një kopje të dytë, megjithatë pamjet janë rikuperuar”, tha Gjykata dhe do të shihen në seancën e radhës.
Djali i biznesmenit Petrit Çela, Suel Çela, që është në kërkim akuzohet për tentativë vrasje ndaj punonjësve të policisë.
Ngjarja ndodhi pranë tregut Agro-ushqimor në Elbasan, ndërsa makina që goditi automjetin e policisë sipas prokurorisë drejtohej nga Suel Çela. Nën akuzë janë edhe Enea Bekteshi, që ndodhet në arrest shtëpie dhe Kelmend Xhaferri në burg.
Pikërisht para tregut Agro-Ushqimor Policia ndaloi një Range-Rover ku brenda tij ishin Enea Bekteshi e Kelmend Xhaferri. Uniformat blu të Elbasanit i arrestuan dy të rinjtë për shkak se kundërshtuan punonjësit.
Por në momentin që policët po largoheshin, një Audi i blinduar vjen drejt makinave të uniformave blu dhe në këtë moment përplasen me njëra-tjetrën. Sipas Prokurorisë Policia ishte në aksion dhe Audi ka goditur me qëllim makinën e Gjergji Oshafit. Në dosje theksohet se Audin e blinduar e drejtonte Suel Çela i cili më pas u fut brenda Tregu Agro-Ushqimor.
Dera e tregu u mbyll dhe Policia nuk mund të hynte dot në brendësi, për shkak se roja nuk e hapi portën. Kur Policia u fut brenda tregut, sipas Prokurorisë, Suel Çela ishte larguar. Me mbylljen e hetimeve nga Prokuroria, tashmë Gjykata e Krimeve të Rënda do të hetojë Suel Çelën, djalin e biznesmenit Petrit Çela për tentativë vrasje ndaj punonjësve të policisë. E njëjta akuzë rëndon edhe ndaj Enea Bekteshit dhe Kelmend Xhaferrit.
Gjyqtari që heton çështjen është Klodian Kurushi. Enea Bekteshi sot ndodhet në arrest shtëpie, Kelemend Xhaferri në burg, ndërsa Suel Çela është në kërkim pasi Gjykata e Krimeve të Rënda ka dhënë masën “arrest me burg” në mungesë. Më herët dosja e Suel Çelës ishte çuar disa herë në Prokurorinë e Elbasanit dhe te Krimet e Rënda, derisa prokurorët vendosën të ngrenë akuzat ndaj grupit të Çeljave./tch
g.kosovari