Detaje të reja nga ngjarja e së mërkurës mbrëma ku një makinë “G Class” e blinduar me targa ruse u përmbys pranë ish-rreth rrotullimit të Shqiponjës në Laprakë.
“BalkanWeb” raportoi se rreth 1 orë pas aksidentit në një spital privat është paraqitur një 34-vjeçar i aksidentuar.
Pasi ka marrë ndihmën mjekësore i aksidentuari, i cili u identifikua si Eldin Dergjini është marre ne pyetje nga policia.
“Kam qenë duke ecur me makinë me një shpejtësi normale. Me goditi nga pas një mjet tjetër. Humba kontrollin dhe u përplasa me një bordurë dhe makina ime u batua në rrugë. Nuk e pashë mjetin që më goditi. Pas aksidentit jam larguar në këmbë për pak metra dhe pastaj mora taksi dhe erdha në spital”, ka deklaruar 34-vjeçari.
Makina e blinduar me targë ruse H001CH 199 është sjellë në Drejtorinë e Tiranës dhe i është nënshtruar një kontrolli të imtësishëm por nuk janë gjetur sende të paligjshme në të. I aksidentuari pretendon se makinën e ka sjellë nga jashtë vendit dje nuk e ka pajisur ende me dokumentacion shqiptar.
Ndërkohë Eldin Dërgjini rezulton të jetë me precedente të mëparshme. Ai në vitin 2014 është arrestuar dhe më pas gjykata ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg”, për veprën penale “Kundërshtim i punonjësit të rendit publik”.
Por jo më larg se gushtin e kësaj vere Dergjini është arrestuar në Himarë për shkak se ishte kapur me armë mbajtje pa leje. Por edhe në këtë rast ai duket se është lënë i lirë.
Nuk mbaron me kaq, burime për Report Tv bëjnë me dije se Dergjini rezulton i dënuar më para një viti në Trieste të Italisë për trafik droge.
Ndërkohë grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të ngjarjes. Ende nuk dihet e saktë arsyeja që ky person lëvizte me një automjet të blinduar e me targa ruse që vlera e të cilit shkon diku mes shifrave 150-250 mijë eurosh.
Ndërkohë me anë të një kërkimi të thjesht, Shqiptarja.com, mëson se të njëjtat targa ‘H 001 CH/199’ ekzistojnë edhe në një automjet tjetër në Rusi. Automjeti me të njëjtat targa në Rusi është i tipit ‘Bently’ dhe kjo është e paqartë se si të njëjtat targa ekzistojnë në dy makina të ndryshme, ku njëra prej tyre u përfshi mbrëmjen e djeshme në aksidenti në Tiranë. Sipas faqes në interent fotot janë bërë para 4 vitesh dhe se fundmi para 9 muajsh.
g.kosovari