Arrestohet në Mallakastër një 38-vjeçar për kërcënim.
Mësohet se shtetasi me iniciale A.O. ka tentuar të mos lejojë punonjësit e policisë dhe përmbarimit të ekzekutojnë vendimin e Gjykatës së Apelit Vlorë për një pronë (tokë bujqësore).
Ky person i ka kërcënuar punonjësit për shkak të detyrës dhe është vënë menjëherë në pranga.
38-vjeçari nga Ballshi akuzohet për “Kanosje për shkak të detyrës” dhe “Pengime për ekzekutimin e vendimeve të Gjykatës”.
Mallakastër/ Njoftimi i policisë:
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Mallakastër, arrestuan në flagrancë shtetasin:
A.O, 38 vjeç, banues në Ballsh.
Arrestimi i këtij shtetasi u bë pasi ka kanosur për shkak të detyrës punonjësit e policisë dhe punonjësit e shërbimit përmbarimor për mos ekzekutimin e vendimit të Gjykatës së Apelit Vlorë për një pronë (tokë bujqësore).
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier për veprat penale “Kanosja për shkak të detyrës” dhe “Pengime për ekzekutimin e vendimeve të Gjykatës”. /l.m