Shumica dërrmuesve e italianëve, pjesëmarrës në sondazhin e Sky Sport, dëshirojnë që Gianni De Biasi të marrë drejtimin e kombëtares së kaltër. I ftuar në emisionin “Football Night” të gazetarit Gianluca di Marzio, trajneri ka folur për eksperiencën me Shqipërinë dhe kualifikimin në Euro 2016.
Befasues ka qenë rezultati i sondazhit nëse italianët do ta donin në krye të kombëtares së tyre, me 70 për qind përgjigje “po”.
Trajneri e ka anashkaluar: “Nuk mendoj për stolin e Italisë, për sa kohë që atje është Antonio Conte”.
Ai vazhdon ta shijojë kualifikimin me Shqipërinë në Euro 2016. Italiani shpjegon se ka qenë një rrugë e gjatë, e nisur para kualifikueseve të fundit.
“Mendoj se arritjen më të rëndësishme e realizuam gjatë edicionit të kaluar, kur fituam me Norvegjinë në Oslo. Ata ishin në vendin e 29-të në FIFA, ndërsa ne të 78-ët. Fituam 1-0 jashtë fushe. Aty skuadra mori besim te aftësitë e saj, pasi më parë nuk kishte ndodhur të fitonte përballë një skuadre që ndodhej kaq lart në renditje dhe mbi të gjitha në transfertë.”
Megjithë fitoren në Portugali apo tri pikët e marra në tavolinë ndaj serbëve, De Biasi vlerëson se “pika e kthesës” për Shqipërinë ishte në ndeshjen e 4 shtatorit në Danimarkë.
“Barazimi në Danimarkë ishte rezultati më i rëndësishëm. Pikërisht ata ishin rivalët tanë direkt. U larguam pa humbje nga fusha e tyre, duke barazuar 0-0. Tjetër faktor i rëndësishëm, ishte karakteri që tregoi skuadra deri në fund. Megjithë dy humbjet në shtëpi dhe në minutat e fundit kundër Portugalisë dhe Serbisë. Dy ndeshje të “çmendura”, të cilat do të sfilitnin edhe një kalë. Por, ne gjetëm forcat për të rimbushur bateritë dhe pas katër ditëve fituam në Armeni”.
Tani vijnë finalet dhe Shqipëria shkon pa pasur barrën e rezultateve me çdo kusht.
“Në kualifikuese ishim në një prej grupeve më të vështirë. Portugalia, Serbia dhe Danimarka janë skuadra të nivelit shumë të lart. Shqipëria arriti të kualifikohej si vendi i dytë në grup. Besoj se në Francë do të shkojmë pa peshën e përgjegjësive të mëdha, por të vetëdijshëm se asgjë nuk ka përfunduar. Duhet të vazhdojmë të punojmë dhe të shpresojmë se gjatë këtyre tetë muajve që na ndajnë nga Euro 2016 do të kemi pak dëmtime dhe që futbollistët të luajnë me vazhdimësi në klubet e tyre”.
Trajneri sqaron edhe për kontratrën: “Rinovimi deri në vitin 2017 u bë automatikisht me kualifikimin e Shqipërisë, – duke shtuar me të qeshur, – “Tani të shohim nëse mund të ridiskutojmë ndonjë gjë, pasi deri tani kam fituar pak“.