Hapet qendra e re shëndetësore në Sauk, e rindërtuar me standarde bashkëkohore, që do t’i ofrojë shërbime cilësore rreth 13 mijë banorëve të kësaj zone. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu vizitoi sot qendrën shëndetësore të Saukut, e rehabilituar falë bashkëpunimit të qeverisë shqiptare me mbështetjen e programit “Shëndet për të Gjithë” të qeverisë zviceriane.
“Rikthehemi në këtë qendër disa muaj më pas dhe e shohim që degradimi i ka lënë vend standardeve më të larta të shërbimit dhe këtu flasim jo vetëm për infrastrukturën por për paketën e plotë të shërbimit në kujdesin parësor, që ofrohet një një staf mjekësor dhe infermieror i trajnuar më së miri”, tha Manastirliu.
Rindërtimi i kësaj qendre shëndetësore është pjesë e programit kombëtar të rehabilitimit të 300 qendrave shëndetësore dhe ambulancave në të gjithë vendin.
Qendra shëndetësore e Saukut i është nënshtruar rehabilitimit të plotë me vlerë 13.2 milionë lekë, bashkëfinancim i qeverisë zvicerane nëpërmjet projektit ‘Shëndet për të Gjithë’ dhe qeverisë shqiptare.
Pas rehabilitimin, qendra shëndetësore e Saukut nis edhe funksionimin si qendër e kujdesit parësor edhe në ditët festive si dhe ditët e diela, duke garantuar shërbim çdo ditë të vitit për banorët e kësaj zone, e cila është populluar së tepërmi vitet e fundit.
Plani i afërt i Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale është të forcojë shërbimin në komunitet, me vizitat mjekësore në shtëpi për të moshuarit, që e kanë të pamundur të akesojnë qendrat shëndetësore.
g.kosovari