Gjykimi më i mirë që mund t’i bëhet dekreteve të tij, është gjykimi me votë. Kështu u shpreh presidenti Ilir Meta para komisionit hetimor, duke thënë se dekreti i 13 tetorit për mbajtjen e tre zgjedhjeve në një ditë, është ende në fuqi. Kreu i shtetit tha se qytetarët shqiptarë mund të zgjedhin me votë, parlamentin e rij, kryebashkiakët e rinj, por edhe vetë presidentin. I pyetur nga deputeti i opozitës së re, Adriatik Alimadhi, njëherësh kreu i Ballit Kombëtar, nëse do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për dekretet e tij, atë të anulimit të 30 qershorit, dhe dekretimin e 13 tetorit, Meta tha se nuk ka përse ta ndërmarrë këtë veprim pasi është shumë i qartë për firmën që ka vendosur në dekret.
Meta tha se shpresat për të dalë nga kjo krizë e thellë politike është ende 13 tetori, edhe pse në fakt, të gjitha afatet ligjore për regjistrimin e partive në zgjedhje dhe përgatitjen e procesit zgjedhor nga KQZ, kanë përfunduar. Meta hodhi edhe disa kritika ndaj ambasadorëve në Shqipëri, kur tha se të gjithë flasin në emër të popullit shqiptar, por se institucioni më i përgjegjshëm sipas tij që ka menduar për interesin kombëtar, është Presidenca.
“Dekretet janë në fuqi. Raporti i OSBE/ODIHR e bën të qartë që dekreti i 13 tetorit duhej të ishte botuar në fletoen zyrtare, dhe kjo nuk e bën që mos të jetë në fuqi. Dekreti i parë është botuar edhe në fletoren zyrtare. Unë nuk jam i paqartë për dekretet e mia, kush është i paqartë le të ndjekë rrugën e tij. Nuk kam ardhur këtu për të kërkuar ndihmë, por për të dhënë shpjegime për çdo paqartësi që mund të ketë për aktet e mia. Lidhur me zgjidhjen mendoj se zgjidhja minimale për të mos minuar procesin e çeljes së negociatave ka qenë, ndoshta ende mbetet por koha është kufizuar nga mungesa e reflektimit, zgjedhjet më 13 tetor për të mbyllur këtë kapitull. Vlerësimi im shumë i ndershëm meqë të gjitha flasim në emër të popull që nga opozita që ka dalë në rrugë që nga opozita që mendon se e përfaqëson në parlament që nga mazhoranca që nga ambasadorët, i vetmi institucion që nuk mban asnjë përgjegjësi është presidenti i republikës, se i ka bërë të gjitha veprimet e tij, të cilat do ta kishin bërë të mundur zgjidhjen e krizës që në momentin e parë kur u shfaq. Zgjidhja ësht ëmos të flasim në emër të qytetarëve, por ti hapim atyre mundësinë të shprehen, edhe për kuvendin edhe për zgjedhjet vendore, edhe për presidentin, nëse ai e ka dëmtuar interesin e popullit apo ka sfiduar kushtetutën. Gjykimi më i mirë është me votë”, tha Meta.
Deputeti Adriatik Alimadhi u shpreh kritik kur tha se Presidenti nuk ka thirrur në takim partitë që morën pjesë në zgjedhjet e 30 qershorit, ku një ndër to ishte edhe Partia e Ballit Kombëtar.
Alimadhi: Unë kam marrë pjesë në zgjedhje zoti President, pse nuk treguat interes edhe për parti të tjera, por vetëm të opozitës
Meta: Unë i kam takuar të gjitha partitë që kam pasur mundësi. Problemi ka qenë me partitë që kanë braktisur parlamentin dhe me kryetarin e PS-së, që nëse do të kishte vullnet si aleti i tij Milo, çështja do të ishte e zgjidhur. Kam takuar edhe të tjerë. Ju nuk e keni kërkuar një takim si kryetar partie, dhe do ju kisha pritur në çdo kohë me shumë kënaqësi.
/a.r