Intervistë e Ambasadorit të Shqipërisë në Francë, Dritan Tola, me “Radio France Info”, pas incidentit me himnin kombëtar shqiptar gjatë ndeshjes Francë-Shqipëri në Stade de France. Ai tregon edhe
Le t’i kthehemi tani gafës trashanike të mbrëmjes së djeshme në Stade de France kur « Blutë » u përballën me Shqipërinë në kuadër të ndeshjeve kualifikuese për Kampionatin Evropian 2020.
Në përfundim, francezët fituan me rezultatin 4 me 1. Por, ajo që u mbajt mend më shumë para ndeshjes, ishte incidenti protokollar, madje i dyfishtë.
Pritej të dëgjohej himni shqiptar para ndeshjes…., por u dëgjua ai i Andorrës, kundërshtarja e radhës e “Bluve” të martën e ardhshme.
U krijua një moment pështjellimi, ndërsa spikeri i Stade de France fillon t’u kërkojë ndjesë tifozëve të “Armenisë”, derisa më në fund u luajt himni shqiptar.
Radio France (RF) – Mirëdita Dritan Tola, ju jeni ambasadori i Shqipërisë në Francë dhe mbrëmë ishit prezent në Stade de France. Si u ndjetë kur dëgjuat himnin dhe emrin e pasaktë te vendit tuaj ?
Dritan Tola (DT) – Në radhë të parë, dëshiroj të përgëzoj ekipin e Francës për fitoren e merituar, por edhe lojtarët e të dy ekipeve tona për frymën sportive dhe vëllazërore gjatë gjithë ndeshjes.
Përsa i përket himnit, incidenti është vërtetë për të ardhur shumë keq dhe askush nuk do të donte që ai të ndodhte, por gabimi është njerëzor dhe gabime mund të ndodhin kudo.
Me shumë të drejtë, lojtarët e ekipit kombëtar të Shqipërisë nuk pranuan të fillonte ndeshja pa u luajtur himni dhe gjejmë rastin të falenderojmë arbitrin dhe Federatën Franceze që pranuan të shtynin fillimin e ndeshjes derisa të dëgjohej himni shqiptar.
Dëshiroj gjithashtu të konfirmoj se presidenti i Federatës Franceze të Futbollit, Noël Le Graët, i kërkoi sinqerisht falje homologut të tij shqiptar dhe mua gjithashtu.
Radio France – Çfarë ju tha ai ?
Dritan Tola – Kërkoi ndjesë, u shpreh se incidenti është për të ardhur shumë keq dhe se e bënte këtë në emër të Federatës Franceze, por edhe të Francës teksa shprehte ndjesën e tyre. Ndërkohe, dëshiroj të shtoj se marrëdhëniet ndërmjet federatave tona janë të shkëlqyera.
Nga ana tjetër, kemi marrë dhjetra e qindra mesazhe ndjese nga miq francezë të Shqipërisë dhe nga autoritete dhe personalitete nga më të lartat të Francës, por edhe nga qytetarë francezë të panjohur. I vlerësojme shumë ato si shenjë të miqësisë mes francezëve dhe shqiptarëve, dhe gjejmë rastin t’i falenderojmë thellësisht.
Radio France – Kur shpreheni se keni marrë mesazhe ndjese nga ana e autoriteteve më të larta të Francës, mund të na thoni se nga cilët keni marrë mesazhe ndjese ?
Dritan Tola – Domethënë nga autoritete më të larta, nga autoriteti më i lartë….
Radio France – Domthënë nga Emmanuel Macron ?
Dritan Tola – Po, ai ka komunikuar me Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama….
Radio France – Domethënë, Emmanuel Macron i ka kërkuar ndjesë Kryeministrit ?
Dritan Tola – Ata kanë komunikuar lidhur me ndeshjen e djeshme.
Radio France – A keni marë mesazhe edhe nga qytetarë francezë, ndoshta në rrjetet sociale të Ambasadës ?
Dritan Tola – Absolutisht po, në rrjetet sociale të Ambasadës, unë vetë dhe kolegët e mij, nga miq francezë që na njohin, por edhe nga qytetarë të tjerë francezë që nuk na njohin, dhe të gjithë kërkuan ndjesë të sinqertë, gjë të cilën e vlerësojmë shumë.
Shqiptarët janë popull shumë i lashtë evropian dhe gjuha shqiptare është bashkëmoshatare me greqishten antike. Shqipëria është sot një komb evropian dhe vend kandidat zyrtar për anëtarësimin në Bashkimin Evropian, ajo vazhdon të bëjë progres në rrugën e saj evropiane falë pikërisht edhe mbështetjes së Francës.
Nga ana tjetër, edhe historia e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Francës është e gjatë dhe e vjetër, madje unë do të thoja me bindje se ajo është edhe shumë e bukur.
Këtë e dëshmojnë prezenca reciproke, ajo franceze në Shqipëri dhe ajo shqiptare në Francë, prezencë e cila është politike, ekonomike, kulturoren, universitare dhe gjuhësore (kujtoj këtu se Shqipëria është anëtare me të drejta të plota në Frankofoni), dhe kjo gjë u detyrohet përpjekjeve të jashtëzakonshme të shumë e shumë shqiptarëve dhe francezëve…
Radio France – Domethënë, ju mendoni se nuk duhet folur për incident diplomatik ?
Dritan Tola – Jo, por mbase kjo ngjarje na tregon se mësimi i gjeografisë dhe i gjeopolitkës mbeten ende lëndë shkollore dhe çëshje të rëndësishme si në shkollë ashtu edhe më pas në rrjedhën e jetës, si në Francë ashtu edhe gjetkë.
Më lejoni gjithashtu edhe pak humor, duke shpresuar që në ndeshjen e radhës së Francës me Andorrën, të martën e radhës, të mos luhet himni shqiptar !
Pavarësisht nga kjo, ne e presim me kënaqësi ndeshjen e kthimit Shqipëri-Francë….
Radio France – Doja t’ju pyesja pikërisht për këtë : në 17 nëntor, në Tiranë, a do ta vini himnin francez ?
Dritan Tola – Siurisht që po. Siç po thoja më parë, ne e presim me kënaqësi këtë ndeshje në 17 nëntor në Shqipëri, ndeshje gjatë së cilës do të inaugurohet edhe Stadiumi i ri Kombëtar i Shqipërisë. Festa do të jetë e përkryer, në lartësinë e mikpritjes shqiptare dhe siç i shkon për shtat miqësisë mes Shqipërisë dhe Francës; jam krejt i bindur për këtë.
Radio France – A mendoni se ngjarja i destabilizoi lojtarët shqiptarë ?
Dritan Tola – Si çdo incident i vogël…., sepse, siç e dini, ndeshjet sportive, ndeshjet e futbollit, janë gara të forta që kërkojnë përgatitje psikologjike dhe çdo incident, qoftë ai ky i lidhur me himnin për të cilin thamë se ishte për të ardhur keq, por edhe incidente të tjera mund të influencojnë. Por, siç u shpreha më parë, mendoj se lojtarët u sollën në mënyrë të shkëlqyer, qëndruan të qetë por gjithë duke kërkuar, më shumë të drejtë, që të shtyhej ndeshja derisa të luhej himni shqiptar.
Radio France – Ju folën për këtë përfaqësues të tjerë të ekipit francez apo të stadiumit ?
Dritan Tola – Sigurisht. Unë ndodhesha në Tribunën Presidenciale, bashkë me presidentët e federatës franceze dhe asaj shqiptare, dhe ata, por edhe përfaqësues të qeverisë franceze, të Delegacionit Ndërministerial për Evenimentet e Mëdha Sportive, dhe përfaqësues të tjerë të lartë të qeverisë, të federatës e të stadiumit kërkuan falje për ngjarjen qoftë në Tribunë, qoftë më pas gjatë pushimit dhe pas ndeshjes. Edhe njëherë, gjej rastin t’i falenderoj sinqerisht.
Radio France – Domethënë kjo nuk jua prishi shijen e ndeshjes ?
Dritan Tola – Më shumë se kjo, do të kishim dashur të shikonim një fitore për Shqipërinë, por sigurisht që incidente të tilla nuk janë asnjëherë ngjarje të kendshme…
Radio France – Faleminderit ambasadorit të Shqipërisë në Francë, Dritan Tola.