Nga Artan Shyti
Skandali që po shoqëron kualifikimin e Kombëtares së Futbollit në Evropianin 2016 dhe që ka në qender rinovimin e kontratës së Trainerit De Biazi me FSHF është një tjetër tregues se ky kualifikim është një fitore artificiale për futbollin në Shqipëri.
E kam thënë publikisht se suksesi i kombëtares është një importim i qartë dhe i padiskutueshëm. Ajo nuk është e nuk mund të jetë tregues i zhvillimit real të futbollit në Shqipëri, i cili lëngon në një sëmundje me simptoma shkatërrimtare për të ardhmen e tij.
Janë të importuar lojtarët, është i importuar trajneri, janë të importuara paratë që FSHF harxhon për këtë ekip dhe që përbëjnë pjesën e luanit të 5 milion eurove që UEFA i ka akorduar cdo federate antare të saj.
Mund të ndodhte që ky importim të zinte vend e të përshtatej në realitetin shqiptar. Por kjo mund të ndodhë kur realiteti shqiptar është pranues i këtij importimi dhe , njëkohësisht, kur është i gatshëm të ecë në drejtimin që ky importim përcakton.
Por nuk është kështu dhe menaxhimii këtij suksesi nga ana e drejtuesve të FSHF është thjesht skandaloz dhe duhet urgjentisht të bëhet subjekt i një analize nga institucionet shtetërore që drejtojnë sportin.
Me synimin për të zvogëluar pjesën e suksesit që i takon trajnerit, një kategori e caktuar po përhap “lajme” në formë pëshpërimash që pikët nuk i ka marrë ekipi në fushë dhe trajneri në stol por “mjeshtra” të tjerë që veprojnë kulisave dhe “tregtojnë” apo bëjnë allishverishe.
Nuk ka nevojë të të thonë se kush qëndron mbas kësaj tymnaje. Nëse bëhet fjalë për marifete, pazare apo allishverishe firma lexohet qartë…
Tentativa për të zvogëluar vlerën e trajnerit dhe përhapja e tymnajës së blerjes së pikëve nga “kokat” janë veprime që kanë një unison të qartë dhe me pasoja katastrofike.
Tashmë të gjirthë ata që janë të interesuar dhe pranë sportit e kanë marrë sinjalin që edhe pikët e Beogradit por edhe pikë të tjera i ka marrë “udhëheqja” dhe jo drejtësia apo djersa e sportistëve. Me pak fjalë janë blerë nga ata që shesin e blejnë gjithshka: vota, dinjtet, rezultate sportive.
Nëse edhe në këtë situatë nuk ndërhyhet për të “prerë” gjuhët dhe kokët e liga atëherë me të vërtetë kemi arritur fundin. Fundin e një moçali ku fshtarët me para e kollare po e degëdisin pa kthim sportin dhe shoqërinë shqiptare.