Me pranga në duar dhe i shoqëruar nga oficerët e policisë gjyqësore, deputeti i PKD, Mark Frroku ka mbërritur në ambientet e Kuvendit për të qenë i pranishëm gjatë diskutimeve për heqjen e mandatit të deputetit pas 6 muajsh mungesë në punimet e parlamentit.
Kreu i Kuvendit, Meta në fillim të seancës së Këshillit të Mandateve dhe Imuniteteve është shprehur se mbledhja nuk u bë pas kërkesës së PD, pasi ishte përcaktuar.
Një gjë të tillë e ka pranuar edhe deputeti Arben Ristani që theksoi më tej se “Arben Frroku prej 6 muajsh nuk ndodhet në Kuvend.
Është mjaft e rëndësishme që të kemi një administratë të pastër. Kemi edhe një marrëveshje politike për dekriminalizimin”.
Pas tij fjalën e ka marrë avokati mbrojtës i Frrokut, Saimir Visha, i cili ka kërkuar që Frroku duhet të jetë i pranishëm në cdo seancë plenare, pasi nuk ka masë ndaluese për të qenë i pranishëm në Parlament.
Visha mori edhe një shembull “Edhe deputetët e Agimit të Artë në Greqi janë të arrestuar, por janë të pranishëm në cdo seancë plenare”.
“Mark Frroku nuk është dënuar me asnjë vendim gjykate brenda dhe jashtë vendit. Prandaj kërkojmë që deputeti të lejohet që të jetë i pranishëm në Parlament.
Kërkesa i është drejtuar Parlamentit, pasi janë 20 mijë zgjedhës që sot janë të papërfaqësur, pasi jemi në një situatë kaotike.
Interpretimin për praninë apo jo të Frrokut në Kuvend dhe mandatin nuk mund ta bëjë Këshilli i Mandateve dhe Imuniteteve, por Gjykata Kushtetuese”tha Visha.
Pas diskutimeve në mbledhje, Këshilli i Imuniteteve dhe Mandateve i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese për të bërë interpretimin për mandatin e Mark Frrokut.
Avokati i Frrokut, Saimir Visha “Ramë dakord që të jetë Gjykata Kushtetuese që të interpretojë termin “pa arsye”
Për aq kohë sa nuk ka një vendim të formës së prerë, çdo dyshim që ka akuza është në favor të të pandehurit”tha ai.
Ndërsa deputeti i PD, Ristani u shpreh pas mbledhjes se”Sa i takon Frrokut, beteja do të vazhdojë. Cështja shkoi në Kushtetuese edhe pse mund të zgjidhej në Parlament”.