Mbrojtësi i Çekisë, Stefan Simic, ka dhënë një deklaratë para ndeshjes së Kosovës dhe Çekisë. Megjithëse nuk bën polemika të hapura, lojtari i Hajdukut të Splitit që më parë ishte edhe pjesë e Milanit, shtron disa teza që mund të lënë vend për diskutime.
Teksa shpjegon prejardhjen e tij që del me origjinë serbe, Simic justifikohet me faktin se edhe shumë futbollistë kosovarë siç i quan vetë ai, përfaqësojnë shtetet e tjera. Në këtë përcaktim, futet pikërisht Shqipëria, por duke harruar se bëhet fjalë po për shqiptarët. Sipas deklaratës së shpërndarë në mediat shqiptare të Kosovës, Simic është shprehur:
“Bosnja është e ndarë në tre pjesë, familja ime vjen nga një vend ku jetojnë serbo-boshnjakët. Kështu që unë jam serb, jam ortodoks. Jam person pa konflikte. Disa futbollistë kosovar përfaqësojnë shtete tjera, si për shembull Shqipërinë.
Kam shokë mysliman, ortodoks dha katolikë. Miqtë e mi janë nga pjesë të ndryshme të ish-Jugosllavisë, Ballkani dhe bota. Nuk kam asgjë kundër askujt”, ka thënë Simiç. (Tema)