Ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, ka folur lidhur me hipotezat e ditëve të fundit se mund të largohet nga Partia Socialiste për t’u bërë kryetar i Lëvizjes Vetëvendosja.
Në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, ish-ministri Bushati ka deklaruar se gjithçka është një tollovi e krijuar nga teknologët politikë, ndërsa ka shtuar se nuk do të largohet nga PS.
Ish-kreu i diplomacisë shqiptare ka sqaruar se ka marrëdhënie profesionale, por mbi të gjitha njerëzore të mira, me Albin Kurtin, me Vetëvendosjen, dhe me të gjithë spektrin politik shqiptar në Kosovë.
“Kjo është një tollovi treditore e krijuar kryesisht nga teknologët politikë dhe distributorët e lajmeve të rreme. Një miku im i çmuar nga Kosova do ta krahasonte me situatën e ngjashme në Ish-Jugosllavi dhe me teknologjinë që përdorej asokohe për ‘diferencimin ideopolitik’ ndaj njerëzve të cilët likuidoheshin politikisht.
Unë besoj që ne nuk e kemi luksin të jemi një matricë neo-jugosllave. Me Vetëvendosjen, me Albinin, por jo vetëm, me të gjithë spektrin politik shqiptar në Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi, në Luginën e Preshevës, unë kam kultivuar marrëdhënie profesionale, mbi të gjitha njerëzore të mira, edhe për shkak të funksionimit tim shtetëror të mëparshëm si Ministër i Jashtëm. I uroj suksese atyre.
Nuk kam asnjë arsye, e jo më ambicie për të lëvizur nga Partia Socialiste të cilën e konsideroj familjen më të madhe politike në vend. Jam mbështetur në mënyrë të pakushtëzuar në të gjitha funksionet e mia, si Ministër i Jashtëm por edhe në funksionet politike, nga kolegët, nga anëtarësia e Partisë Socialiste dhe sot më shumë se kurrë mendoj që ne kemi nevojë për të hedhur një tjetër hap drejt demokratizimit të mëtejshëm të PS-së, për të dëshmuar që jemi në gjendje për tu vet-korrigjuar dhe për ti folur, jo thjeshtë aspirantëve te kutia e votimit, por mbi të gjitha atyre që me të drejtë, mund ta kenë humbur shpresën nga gabimet që ne kemi bërë nga 6 vitet në qeverisje të vendit”, ka deklaruar Ditmir Bushati. /l.m