Daniela Ospina, ish-partnerja e James Rodriguez, është mërzitur shumë me deklaratat e Hektor Fabio Cruz, ish-shefit të ekipit mjekësor të kombëtares së Kolumbisë. Ky i fundit tha për lojtarin aktual të Real Madridit: “Ky djalë nuk është mirë nga koka. Ai nuk e riaftëson veten si duhet. Një lojtar që kalon muaj pa pushim, nga ndeshja në ndeshje, si mund të mos dëmtohet?” Një deklarim, që është pritur shumë keq në mjedisin përreth lojtarit. Daniela Ospina, ish-gruaja e mesfushorit, është hedhur në “zjarr” për të mbrojtur fuqimisht profesionalizmin e James Rodriguez.
“Nga sa di unë për James, nëse ka diçka që mund të theksohet është disiplina e tij dhe korrektësia në përgatitje. Nuk kam pse ta mbroj, por kjo është e vërteta. James është një person që kërkon maksimumin nga vetja. Nëse ka diçka, në të cilën ka mëkatuar, është se e tejkalon masën me punën që bën”, – deklaroi ajo për “Vbar Caracol”. Për më tepër, Daniela zbuloi detaje të kësaj vere, në të cilën, pas “Copa América”, ylli kolumbian po përgatitej në pritje të zgjidhjes së të ardhmes së tij: “James sakrifikoi pushimet e tij të fundit, që të stërvitej. Ai punoi me një grup të specializuar, që ka mbas vetes, të cilët veprojnë ndryshe nga përgatitësit e skuadrave të futbollit, vetëm për t’u bërë mirë”.
Motra e David Ospina i uron ish-partnerit të saj më të mirën te Real Madrid. Rikthimi i tij aty e ka befasuar: “Jeta po i jep James një shans të dytë dhe shpresoj se mund ta shfrytëzojë. Unë nuk e prisja që fundi të ishte ky, por jetës nuk i dihet”. Në fakt, disa muaj më parë, kur ishte ende te Bayern Munich, dhe e ardhmja e tij përbënte mister, Daniela tregoi preferencat e saj: “Unë do të doja ta shihja James te Barcelona. Ai luan mirë me topin në këmbë, kjo është loja e Barcelonës”.