Task Forca e Transportit Rrugor i është nënshtruar muajt e fundit një ristrukturimi të plotë, i cili përfshin edhe modernizimin e kësaj strukture nëpërmjet vënies në përdorim të pajisjeve të reja teknologjike.
Trupa e inspektorëve të përgatitur dhe trajnuar sipas standardeve europiane, është pajisur tashmë edhe me fjalën e fundit të teknologjisë, duke e bërë të gjithë procesin e inspektimeve në terren më transparent dhe të dokumentuar.
Tashmë kjo trupë ka pjesë të saj, pajisjen e lëvizshme për kontrollin teknik të mjeteve, peshore portabël, kamera trupi si dhe tableta të cilat bëjnë të mundur jo vetëm modernizmin e kësaj strukture por garantojnë edhe një kontroll më të shpejtë.
Në saj të teknologjisë, i gjithë procesi tashmë është i monitoruar në çdo kohë, ndërsa kontrollet e automjeteve të cilat janë subjekt i Task Forcës tashmë do të jenë më të plota.
Demonstrimi i pajisjeve të reja u ndoq sot nga afër nga ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku si dhe drejtori i DPSHTRR, Blendi Gonxhja.
“Ky është kthimi i shtetit në rrugë për rritjen e sigurisë së transportit rrugor, për sigurinë e të gjithë mjeteve që qarkullojnë në të gjitha akset e vendit me një nivel krejt tjetër, me një modernizmi të një niveli bashkëkohor. Synimi është për një kontroll rrugor objektiv edhe të shpejtë, për një forcë të kontrollit rrugor e cila është tashmë e dixhitalizuar, e monitoruar në kohë reale dhe e pajisur me mjete që janë mjaft moderne në mënyrë që të jemi në lartësinë e kohës”, u shpreh Gonxhe.
Nga ana e saj, ministrja Balluku tha se pas kualifikimit të personelit, pajisja e inspektorëve me teknologji të reja për të garantuar transparencë dhe evituar abuzimet, është hap i radhës drejt krijimit të një trupe inspektorësh në lartësinë e detyrës.
“Kemi arritur më në fund që përveç personelit të cilët tashmë janë të kualifikuar dhe me përgjegjshmëri të plotë ne kryerjen e detyrë në të gjitha akset rrugore të Republikës së Shqipërisë ,kemi edhe pajisjet elektronike që ofrojnë transparencë totale të të gjithë procesit”, deklaroi Balluku duke theksuar se e gjithë puna e kësaj strukture është e fokusuar tek siguria rrugore.
Dokumentimi i të gjithë procesit të kontrollit në terren nga ana e inspektorëve, u shpreh Balluku, do t’i jap fund edhe pretendimeve për sjelljen e inspektorëve në terren ndaj drejtuesve të mjeteve apo shqetësime të tjera që kanë shoqëruar këto procese ndër vite.
“Sot, krenarisht ne kemi prezantuar skuadrat dhe grupet e inspektorëve të Task Forcës Rrugore, por mbi të gjitha dhe pajisjet të cilat ata kanë në përdorim dhe do të krijojnë një transparencë të jashtëzakonshme përsa i përket këtij kontrolli në terren”, nënvizoi ministrja Balluku.
Pajisja e lëvizshme në anë të rrugës për Kontrollin Teknik të Mjeteve Rrugore mundëson kontrollin teknik të automjeteve në të njëjtën mënyrë siç kryhet gjatë procesit të kolaudimit ndërsa peshorja portabël bën të mundur matjen e peshave aksiale të mjeteve për transport mallrash deri në 15 ton për aks.
Gjithashtu përmes kamerave të trupit do të bëhet e mundur filmimi dhe fotografimi i të gjithë procedurave të kontrollit të mjetit dhe i mbajtes së aktit të konstatimit. Kamerat kanë rezolucion HD dhe cilësi të lartë të zërit duke bërë të mundur një filmim të qartë dhe të pastër./l.m