Nga mbledhja e Këshillit Kombëtar të Territorit, Blendi Klosi, ministër i Mjedisit, u shpreh se Qeveria do të vazhdojë të kërkojë të kthejë malin e Tomorrit brenda normalitetit që i takon një zone të mbrojtur.
Klosi nxorri një vendim të vitit 2012-të të Qeverisë Berisha që, sipas tij, ka lënë jashtë zonës së mbrojtur një hapësirë të konsiderueshme që tashmë është kthyer në gangrenë për të gjithë malin.
Ndonëse pranoi se do të vijojë komunikimi me bizneset e guroreve, ministri Klosi theksoi se ato janë të gjitha në shkelje të ligjeve.
“Do të vazhdojmë komunikimin me bizneset, të cilat janë të gjitha në shkelje, janë me shkelje të lejes së mjedisit dhe do të kalojnë në skaner. Do të vazhdojmë të kërkojmë të kthejmë në vend një padrejtësi historike që i është bërë këtij mali, duke kërkuar të rikthejmë të gjithë zonën e mbrojtur brenda normalitetit dhe të mos lejojmë që zgavra e krijuar nga veprimet korruptive të 2012-ës të vazhdojnë ta dëmtojnë zonën tonë të mbrojtur”, tha Klosi.
Gjykata e Apelit Administrativ vendosi më 17 korrik që të shfuqizojë vendimin e Qeverisë për ndalimin e shkatërrimit të Malit të Tomorrit nga kompanitë që nxjerrin pllaka guri. Qeveria kishte vendosur më herët që të kthente në park kombëtar të gjithë Malin e Tomorrit, i cili prej disa dekadash po gërmohej nga gurorë të shumta për të nxjerrë pllaka guri. /l.m