Shumë i Përndershmi Nikon, Kryepeshkop i Bostonit, New England-it dhe Kryepeshkopatës (ArkDioqezës) Shqiptare, ndërroi jetë në 1 shtator 2019, bën të ditur gazeta shqiptaro-amerikane, Illyria, në New York.
Kjo figurë e shquar e komunitetit shqiptaro-amerikan u lind në 1945, djalë i Evans J. dhe Helena P. Liolin. Vëllai i tij është një tjetër klerik i shquar shqiptaro-amerikan, At Arthur Liolin.
I rritur në një familje që dhuroi gjithshka për Kishën Shqiptare dhe fenë ortodokse, ai është përfshirë qysh fëmijë në punët e përditshme të kishës, duke ndihmuar babain e tij i cili ishte një nga drejtuesit e komunitetit ortodoks shqiptar në SHBA e duke u frymëzuar nga shembulli i jashtëzakonshëm i Imzot Nolit, një mik i familjes dhe udhëheqës shpirtëror.
Shkollën fillore dhe të mesme, Kryepeshkop Nikoni e kreu në New York City, ku, si përshkruhet në biografinë e tij në faqen e Kishës Ortodokse Shqiptare në SHBA, zhvilloi një interes të madh për artin teatral, duke luajtur në një numër rolesh kryesore në shfaqjet e shkollës, si dhe në shkencat biologjike.
I graduar në Urdhërin e Lexuesit nga vetë i madhi Metropolitan Theofani (Noli) ai vijoi studimet dhe u diplomua në Seminarin e Shën Vladimirit, në 1966. Më pas thelloi studimet në Kolegjin Iona dhe Concordia në New Rochelle, si dhe u diplomua në Shkenca Politike dhe Shoqërore në New School, New York City.
Në vitin 1967, ai u martua me të ndjerën Sarah Arthur, të dashurën e tij të fëminisë Së bashku administruan me dashuri e devotshmëri kishën, në të cilën ajo shërbeu si drejtuese e korit, kur ai zëvendësoi si prift, të ndjerin Peshkop Stephen [Lasko]. Kryepeshkop Nikoni u urdhërua prift në 6 korrik 1969. Si i tillë shërbeu për 33 vjet me radhë në Kishën e Shën Nikolasit në Southbridge, MA dhe në atë të Shën Thomait në Farmington Hills, Michigan, etj.
Në maj 2002, ai u shenjtërua si Peshkop i Baltimorës dhe Ndihmës i të Bekuarit Metropolitan Theodosius.
Ndërsa një vit më vonë, në 10 tetor 2003, u emërua si Peshkop i Bostonit në Asamblenë e Kryepeshkopatës Shqiptare. Pak ditë më pas, Sinodi i Shenjtë e zgjodhi në atë post.
Ai u ngjit në rangun e Kryepeshkopit në 9 maj 2012.
Mesha kushtuar kalimit të tij në amëshim do të mbahet në Katedalen e Shën Gjergjit, në Boston, të mërkurën në 4 shtator, kurse shërbimet funerale, të enjten në 5 shtator, në Katedralen Ortodokse të Trinisë së Shenjtë, në 165 Park Drive, Boston.(Ruben Avxhiu/Illyria)