Të konsumuarit arra, bajame apo fistikë, ul ndjeshëm rrezikun e vdekjes nga sulmet në zemër apo tru. Të dhënat vijnë nga një studim i ri, ku u zbulua se ata që konsumojnë fruta të thata të paktën 2 herë në javë, kanë 17 përqind më pak shanse që të vdesin nga sëmundjet kardiovaskulare.
“Frutat e thata janë një burim i mirë i yndyrave të pasaturuara. Ato kanë gjithashtu proteina, minerale, vitamina, fibra, etj, që kanë shumë përfitime për zemrën”, thotë autori i studimit, Dr Noushin Mohammadifard nga Instituti Kërkimor Isfahan në Iran.
Sipas asaj që shkruan e përditshmja The Independent, studimi i prezantuar të premten në një samit me pjesëmarrës kardiologë nga e gjithë bota, ekzaminoi lidhjen mes frutave të thata dhe rrezikut të vdekjes nga sëmundjet kardiovaskulare në popullsinë iraniane.
Pjesëmarrësit u pyetën çdo dy vjet deri në 2013-n, për të parë problemet e tyre kardiovaskulare.
Në mesin e pjesëmarrësve kishte 751 evente kardiovaskulare, 179 vdekje kardiovaskulare dhe 458 vdekje për shkaqe të të gjitha llojeve.
Ngrënia e frutave të thata 2 apo më shumë herë në javë, sipas ekspertëve, ul me 17 përqind rrezikun e vdekjeve nga sëmundjet kardiovaskulare, krahasuar me konsumin e tyre 1 herë në 2 javë. Lidhja ishte robuste edhe pas marrjes në konsideratë të faktorëve të tjerë si mosha, seksi, edukimi, duhani dhe aktiviteti fizik,
Shoqëria Europiane e Kardiologjisë liston 30 gramë fruta të thata pa kripë si një prej karakteristikave të një diete të shëndetshme, duke theksuar se densiteti i energjisë së tyre është i lartë. /l.m