Kryeministri Edi Rama ka publikuar një video nga kantieri i ndërtimit të “Rrugës së Arbërit” që lidh kryeqytetin me Dibrën duke dhënë edhe një mesazh ndaj “hipokritëve” rreth asaj se çfarë janë PPP-të.
Me anë të një postimi në faqen e tij ne rrjetin social “Facebook”, ai thekson se ku kompania investon kapital privat për realizimin e saj, brenda vitit 2021, ndërsa shteti e shlyen kompaninë, brenda vitit 2031.
Kreu i qeverisë thekson se atë që shteti mund ta bënte për 13 vjet, investimi i kapitalit privat e bën për 3 vjet, në marrëveshje me shtetin, që garanton shlyerjen e investimit.
“VIJON… shtrirja e gjurmës së Rrugës së Arbërit, përgjatë të cilës do të shpaloset jo vetëm për dibranët, po për të gjithë shqiptarët dhe flukset e turistëve që kjo rrugë do të tërheqë drejt mrekullive natyrore të Dibrë, një tjetër pjesë e panjohur e trupit të mahnitshëm të Shqipërisë që duam☀️🇦🇱
Rruga e Arbërit është një vepër inxhinierike komplekse, e cila po bëhet realitet pas dhjetra e dhjetra vitesh pritje e premtime, falë një Partneriteti Publik Privat, ku kompania investon kapital privat për realizimin e saj, BRENDA VITIT 2021, ndërsa shteti e shlyen kompaninë, BRENDA VITIT 2031😊
(Ata që nuk dinë ç’janë PPP-të dhe hutohen e çoroditen nga gojët e shthurrura të politikanëve e komentatorëve parazitë, hipokritë e cmirëzinj, ja ku e kanë një shembull të thjeshtë👆:
Atë që shteti mund ta bënte për 13 vjet (sepse ka edhe shume e shumë gjëra të tjera për të bërë dhe s’’mund t’i hedhë tërë ato fonde në gjë të vetme), investimi i kapitalit privat e bën për 3 vjet, në marrëveshje me shtetin, që garanton shlyerjen e investimit🤝“, shkruan Rama
g.kosovari