Ministri i Jashtëm finlandez, Pekka Haavisto ka thënë se kolegët e tij nga Bashkimi Evropian kanë shumë shpresë se do të lëvizin drejt bisedimeve për anëtarësim me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, ndonëse nuk ka dhënë ndonjë afat kohor.
Deklaratat u bënë pas një takimi me homologët e tij evropianë, me të cilët përveç çështjeve tjera është diskutuar edhe për këto dy vende të Ballkanit, të cilat janë përballur me vonesa dhe kundërshtime të disa shteteve për nisje të negociatave për anëtarësim.
“Sipas mendimit tim ka pasur pritshmëri pozitive se në një pikë ne do të vazhdojmë përpara me nisje të bisedimeve me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë”, u ka thënë gazetarëve Haavisto, por pa treguar se cilat vende kanë qenë më optimiste.
Maqedonia, një ish republikë Jugosllave, ndryshoi emrin e saj në Maqedoninë e Veriut këtë vit, duke përfunduar një mosmarrëveshje më shumë se dy dekada me Greqinë dhe duke hequr një pengesë për anëtarësimin e saj në BE dhe NATO.
Por disa shtete të BE kanë thënë që Shqipëria duhet të bëjë më shumë për të trajtuar krimin e organizuar dhe korrupsionin dhe forcimin e sundimit të ligjit.
Më herët gjatë ditës, shefja për politikë të jashtme e BE-së, Federica Mogherini, nuk ka pranuar të tregojë se cilat shtete mbështesin nisjen e bisedimeve për anëtarësim dhe cilat e kundërshtojnë këtë proces.
“Unë kam parë sot mbështetje më të madhe dhe vendosshmëri në mesin e vendeve anëtare sa i përket rëndësisë strategjike, ashtu që, Bashkimi Evropian të jetë stabil sa i përket hapave të ardhshëm të procesit të zgjerimit”, ka thënë Mogherini. /l.m