130 lekë u shtohet në pagesën e aftësisë së kufizuar personave që kanë humbur shikimin pas 1 shtatorit. Shoqata e të Verbërve thotë se qeveria nuk duhet të kryej indeksim të masës së përfitimit por rritje të pagesës, që nuk ka ndodhur prej 9 vitesh.
Pagesa e aftësisë së kufizuar do të ndryshojë prej 1 shtatorit. Sipas një udhëzimi të Ministrisë së Shëndetësisë, personat para dhe tetraplegjikë përfitojnë 10 mijë e 653 lekë nga 10 mijë e 200 lekë që marrin aktualisht ndërsa masa e përfitimit për shkak të verbërisë shtohet me 130 lekë duke u bërë 12 mijë e 92 lekë.
Ardjan Hysa, President i Shoqatës së të Verbërve: Nga viti 2010-2019 kemi pasur të bëjmë me indeksim, çka do të thotë ne jemi në nivelet e viteve 2010 dhe nuk ka pasur rritje të pagesave të aftësisë së kufizuar.
Ardjan Hysa shprehet se pagesa që përfitojnë nuk u mjafton për të përballuar nevojat dhe se janë në kushtet e mbijetesës.
Ardjan Hysa, President i Shoqatës së të Verbërve: Kjo pagesë është shumë e vogël përpara të gjithave nevojave që u duhet të plotësojnë personat me aftësi të kufizuara, madje kjo është nën minimumin jetik.
Hysa paralajmëron protesta në shtator nëse nuk do të ketë reagim nga qeveria për kërkesat që kanë parashtruar.
Ardjan Hysa, President i Shoqatës së të Verbërve: Nëse nuk do të ketë qëndrim publik në lidhje me tërheqjen ndaj tentativave për të prekur statuset e aftësisë së kufizuar shumë shpejt do të ketë reagim të fuqishëm.
Shqetësimet lidhur me shërbimet, punësimin, arsimimin si dhe skemën ekonomike dhe sociale, Shoqata e të Verbërve i ka ngritur edhe në Komitetin e Gjenevës. /l.m