34-vjeçari çeçen kërkohet nga Rusia për pjesëmarrje në organizatën terroriste të Shtetit Islamik. Në seancën ku u shqyrtua kërkesa për ekstradim, ai u shpreh se në vendin e lindjes do ta vrasin.
Gjykata i caktoi avokat kryesisht dhe vendosi që seanca e radhës për të ashtuquajturin “terroristi memec” apo “Diego Maradona” të mbahet më 10 shtator.
34-vjeçari, banues në Çeçeni, akuzohet nga Moska se ka marrë pjesë në luftimet e ISIS në Siri. Por, ai vetë mohon këtë akuzë. Miklaev deklaron se kishte krijuar një organizatë në ndihmë të viktimave të luftës në Siri dhe nuk ishte terrorist.
Në seancë, Miklaev kërkoi të mbrohet nga avokat kryesisht, pasi theksoi se nuk ka mundësi për ta paguar, edhe pse shfaqi skepticizëm, ndërsa në dispozicion i është vënë edhe një përkthyes. Rusi kërkoi një avokat cilësor, ndërsa shtroi disa herë pyetjen “A di ta bëjë punën mirë avokati?”.
Ndërsa përkthyesit e kanë njohur me cilësinë dhe licencimin e dhomës së avokatisë në Durrës. Derisa 34-vjeçari të kishte një avokat dhe në mungesë të përfaqësuesit të akuzës, gjyqtari Paulin Cera e shtyu seancën duke i dhënë kohë mbrojtjes të njihet me akuzat dhe dosjen e 34- vjeçarit.
I dyshuari për terrorizëm u arrestua në qendrën e mbyllur të emigrantëve të paligjshëm në Karreç të Vorës, nga Drejtoria e Antiterrorit si pjesë e grupimit terrorist të Jaish al Muhaxhirin al Ansëar, pjesë e Shtetit Islamik (ISIS).
Ai ka hyrë në Shqipëri në verën e 2018 dhe për rreth 11 muaj ka qëndruar në qendrën e Karreçit, ku është shtirur si person që nuk fliste e dëgjonte, ndërsa prezantohej si “Diego Maradona”.
Por, këto sjellje të çuditshme kishin ngjallur dyshime tek autoritetet, që më pas zbuluan se në fakt bëhej fjalë për një person në kërkim ndërkombëtar. Sipas Prokurorisë, 34-vjeçari ishte pjesë e ISIS që prej vitit 2013 dhe është arrestuar mbrëmjen e 12 korrikut.
Rasul Miklaev lindur dhe banues në Norilsk, kishte rreth një vit më parë që kishte mbërritur në Shqipëri si emigrant i paligjshëm. Ai ka hyrë ilegalisht nga Greqia ku është kapur në Kakavijë. Që nga ajo kohë, ai është mbajtur në Karreç, qendrën e emigrantëve të paligjshëm. Ajo që ka ngjallur dyshime tek ai ishin shenjat e shumta të thikave dhe plumbave që kishte në trup. (Panorama)
/a.r