Është gati në të gdhirë, ora 3:30 e mëngjesit, një avion niset nga një terminal privat në Aeroportin Ndërkombëtar Mekaran të Las Vegas-it. Avioni nuk ka ndonjë logo të kompanisë që përfaqëson, dhe ju nuk do të shihni të shënuar kohën e nisjes apo mbërritjes së tij në destinacion. Ju nuk mund të blini biletë për të udhëtuar në të.
Avioni zbarkon në bazën e testimeve në Nevada, ku testohen zakonisht armët bërthamore. Destinacioni i tij i fundit: Aeroporti Homej në veri të Zonës 51. Zona 51 është një seri objektesh të fshehta, në pronësi të qeverisë amerikane në shkretëtirën e largët të Nevadës. Ajo ka qenë për dekada objekt debatesh publike, dhe i shumë teorive të komplotit.
Por çfarë është në fakt kjo zonë: Një bazë për avionët spiunë? Një burg për alienët?
Apo diçka tjetër? Pas fundit të Luftës së Dytë Botërore, e pasuar nga vjedhja e sekreteve atomike nga rusët, udhëheqësit e lartë ushtarakë amerikanë, ndjenë nevojën për të forcuar fshehtësinë e projekteve ushtarake të SHBA-së, si dhe për të vazhduar gjatë gjithë kohës përgatitjet për luftë.
Dhe kjo përgatitje përfshinte sekrete qeveritare të pafundme. Që nga fillimi i viteve 50, qeveria amerikane kreu kërkime sekrete mbi efektet e rrezatimit bërthamor tek njerëzit, eksperimentoi me teknikat e shpëlarjes së trurit në një projekt të CIA që njihet sot si “MK Ultra”, dhe organizoi grushte ushtarake shteti në të gjithë botën, nga Irani në Guatemalë.
Pikërisht në epokën e paranojës së madhe, në vitin 1955, Forcat Ajrore Amerikane riaktivizuan bazën ajrore Homej në Liqenin Grum në Nevadës, për projekte të fshehta që ata donin t’i mbanin larg syve të Rusisë. Në një kohë relativisht të shkurtër, baza u rinovua, dhe tunelet nëntokësore u mbushën me karburant avionësh. Kështu lindi Zona 51, ekzistenca e të cilit nuk është pranuar deri në vitin 2013, kur qeveria amerikane deklasifikoi një raport të fshehtë.
Në vitin 2014, gazetarja Eni Xhejkobsen bisedoi me pesë burra që kishin punuar në bazë në vitet 1960. Ata ishin angazhuar me avionët spiunë U-2 dhe A-12.
I pari mund të fluturonte në lartësi mbi 30 mijë metra, duke marrë pamje nga lart të territorit të Bashkimit Sovjetik. Këta avionë fluturonin thuajse gjithmonë gjatë natës dhe pa drita. Magjepsja e SHBA-së me alienët dhe UFO-t daton të paktën që nga transmetimi në radio i vitit 1938 i Orson Uellsit “Lufta e botëve”, ku ai i mashtroi dëgjuesit duke i bërë të mendonin se Shtetet e Bashkuara ishin nën sulmin e alienëve.
Gati një dekadë më vonë, një objekt ra nga qielli në tokë afër Rozuellit në Nju Meksiko. Në fakt ishte një balonë e lëshuar në ajër për qëllime meteorologjike, të cilën qeveria federale planifikoi të përdorte për të zbuluar provat bërthamore sovjetike. Uashingtoni donte të ruante me çdo kusht sekretin, ndaj shtypi vendas, i ndjekur nga ai ndërkombëtar arriti në përfundimin se ishte një disk fluturuese.
Dekada më vonë, njerëzit e intervistuar në lidhje me incidentin, pretenduan se kishin parë që alienët dilnin nga anija kozmike. Nga atëherë, alienët dhe UFO-t mbetën të freskët në mendjen e amerikanëve. Edhe sot shumica e amerikanëve janë të bindur se nuk ishte një balonë e matjes së kushteve të motit ajo që u rrëzuan në një fermë në Nju Meksiko në vitin 1947.
Duke nisur nga vitet 1970, Kongresi Amerikan nisi të mbajë seanca dëgjimore publike për të gjithë ata që pretendonin se ishin rrëmbyer nga alienat. Publiku dëgjoi për atentate të fshehta, eksperimente të kontrollit të mendjes, teste mbi rrezatimin atomik etj. Por Zona 51, do të tërhiqte shumë vëmendjen në vitin 1989.
Më 12 maj të atij viti, një televizion lokal në Las Vegas, intervistoi një burrë që nuk donte të identifikohej me fytyrë, dhe që pretendonte se kishte qenë një shkencëtar në “S-4”, një strukturë sekrete e qeverisë amerikane disa milje në jug të zonës 51. Njeriu, që e identifikoi veten si “Denis”, u tha gazetarëve se në bazë kishte “9 disqe fluturuese” me “origjinë jashtëtokësore”, të cilat po studioheshin nga shkencëtarët për të kuptuar mekanizmin e tyre.
“Disa prej tyre janë 100 për qind të paprekur, dhe funksionojnë në mënyrë të përsosur. Të tjerat po çmontohen”- tha ai. “Denis“ theksoi se nuk e kishte “ fare idenë” se nga vinin disqet fluturues, por shtoi se ishte “tërësisht e pamundur” që ato të ishin prodhuar këtu në Tokë, duke përmendur sistemet e tyre të lëvizjeve shumë të përparuara dhe reaktorët me anti-materie.
“Kjo lloj teknologjie nuk ekziston tek ne”- tha ai. Intervista bëri bujë dhe u transmetua nga 6 televizone të tjera. Pas kësaj interviste, kjo bazë fitoi një famë të madhe. Shumë entuziastë të UFO-ve u mblodhën pranë saj. “Denis” u zbulua menjëherë pas intervistës së tij të parë.
Emri i tij i vërtetë ishte Bob Lazar, dhe ai pretendoi se ishte diplomuar në Univeritetin Teknologjik në Masaçusets, dhe se kishte punuar në Laboratorin Kombëtar të Los Alamos para se të merrte pjesë në programin S-4.
Në fakt nuk ka prova konkrete që Lazar ka ndjekur atë universitet, por shkencëtari pretendon se qeveria mund ta ketë fshirë emrin e tij nga regjistrat për ta diskretituar atë. Ndonëse laboratori i Los Alamos, e mohon zyrtarisht që Bob Lazar ka punuar ndonjëherë aty, gazetarët investigativë kanë gjetur një numërator të vjetër telefonik të vitit 1982 që ishte për përdorim të brendshëm të qendrës, që përmban edhe emrin e “Robert Lazar”, në një kohë që ish-punonjës kanë pohuar se e mbajnë mend kohën kur Lazar punonte atje.
Ndërkohë në vitin 2017, gazeta “The New York Times” raportoi se Pentagoni kishte studiuar UFO-t për vite me radhë. Ajo publikoi një video të një UFO-je që fluturonte sipas një modeli të ngjashëm me atë që e përshkroi Llazar. Për herë të parë, zyrtarë të nivelit të lartë si ish-senatori Herri Reid, e pranuan që qeveria amerikane kishte financuar kërkimet mbi UFO-t, dhe se ishte e interesuar të mësonte mënyrën se si fluturonin ato.
Një tjetër provë bindëse:Gjatë 30 viteve të fundit, Lazar i ka qëndruar historisë së tij. Vitin e shkuar ai tha se dëshmia e tij tronditëse i ka sjellë jo pak andralla në jetën e tij, por megjithatë ai nuk është lëkundur në ato që pohon se ka parë. Ai madje shton se ka pare sërish anije aliene pranë Zonës 51.
Që nga fundi i viteve 1940, asnjë vend në botë nuk ka qenë aq shumë i armatosur me bomba bërthamore sa Nevada Jugore. Për shkak të testeve të ndryshme, ai vend është shumë radioaktiv. Ekziston edhe një dyshim, sipas të cilit tumori fatal që preku aktorin e mirënjohur Xhon Uejn, mund të jetë shkaktuar gjatë kohës së xhirimit së një filmi mbi udhëheqësin mongol Xhengiz Khan në Nevada. (TTnews) /l.m