Agjencia shtetërore e Kadastrës ka përfunduar ristrukturimin e saj dhe fokusi kryesor i ditëve të para të muajit Shtator do të jenë legalizimet e viteve 2005-2006 ku dosjet e qytetarëve rezultojnë me probleme dhe që pritet t’i jepet zgjidhje. Nëndrejtoresha e përgjithshme e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës thotë se trajtimi i aplikimeve do të bëhet për zona të ndryshme.
“Ky muaj ka qenë një muaj pune për ASHK dhe drejtoritë e varësisë së saj sepse dhe faza e ristrukturimit të institucionit është përfunduar. Punonjësit janë sistemuar në pozicionet e punës. Bashkimi i dy institucioneve ka filluar të japi produktet e veta me shërbimin që ofrojnë qytetarëve në pjesën e kadastrës. Fokusi kryesorë i punës së institucionit do të jenë aplikimet me legalizimet e bëra në vitet 2005-2006.Kjo s’do të thotë që edhe për vite të tjera në vijimësi nuk do të trajtohen sepse në zona të ndryshme aplikimet mund të kenë vite të ndryshme dhe trajtimi do të bëhet njëkohësisht për tu fokusuar në këto zona”-tha ajo.
Kthimi i emigrantëve në atdhe gjatë muajit Gusht ka bërë që kjo agjenci të ketë edhe fluksin më të madh të aplikimeve. Numri i kërkesave për të cilat qytetarët kanë marrë shërbime, gjatë gushtit ka arritur në 4500 duke përfshirë edhe pjesën e kadastrës dhe legalizimet.
“Periudha e Gushiti është një periudhë intensive përsa i përket kërkesave që bëjnë emigrantët që kthehen për pushime në Shqipëri dhe njëkohësisht mbyllin dhe çështjet e pronësisë së tyre. Relativisht fluksi ka qenë i konsiderueshëm gjatë muajit Gusht vetëm për Tiranën janë dhënë 4500 shërbime duke përfshirë dhe pjesën e legalizimit dhe pjesën e kadastrës. Aktualisht drejtoritë e ASHK janë duke bërë inventarin e gjithë dosjeve që kanë mbetur të patrajtuara dhe themi me bindje që shtatori do jetë një muaj që do të japi edhe produktivitet që do ti japi zgjidhje këtyre problematikave”-pohoi ajo.
Agjencia e shtetërore e kadastrës pritet të nisë një plan masash për objektet buzë detit në muaji Shtator.