Nga Nga Ilir Yzeiri
Në semiologjinë e muajve, gushti ka shenjueshmërinë më absurde dhe më tragjike, disa herë. Edhe marsi nuk mbetet pas, por gushti është i tejmbushur me ngjarje që, rrallë, mund të ndodhin. Gjesti i Mihalit, fjala vjen, që i ka rrënjët thellë në kuptimin heroik të shqiptarëve që i vërviten mjetit armik me gjoks, shënjon mitologjinë e heroizmit më të pashoq ndër shqiptarë. Mic Sokoli, Selam Labi apo Vojo Kushi kanë hyrë në vetëdijen kolektive si heronjtë që sfidojnë armikun në pikën e tij më të fortë, që është teknologjia.
Mirëpo, gjestet e heronjve, pasi kalon një kohë e gjatë, përsëriten në kohë paqeje, jo si vullnet sublim në emër të idealeve të mëdha, por kthehen në pronë të atyre që, për shkak të temperamentit, cilësive të veçanta karakteriale dhe fizike, shfaqen si kriminelë të zakonshëm që gjithë këtë vullnet e vënë në punë për të kënaqur egon e tyre dhe për të sfiduar komunitetin. Në qoftë se për shumë kohë, miti i Mic Sokolit, apo i Selam Musait e Vojo Kushit tregohej si shenjë që duhet të na frymëzonte, gjesti i Mihal Kokëdhimës është shfaqur si një njollë që e dëmton rëndë imazhin e shqiptarëve dhe që i paraqit ata si njerëz agresivë. Dhe të mendosh se nga pikëpamja fizike, të rrish tri kilometra i varur në kofanon e makinës jo për këaqësi, por si agresor, është një gjë jo e zakonshme.
Kjo ngjarje e mori gjithë vëmendjen e gushtit dhe ne, të gjithë, harruam për një çast bëmat e heronjve të tjerë në plazhet tona.
Sot të pushosh në një plazh publik është një torturë e vërtetë. Personalisht më tërheqin plazhet publike dhe familjarisht i frekuentoj ato, qoftë në Durrës apo në Gjirin e Lalësit, qoftë në Jug,në Himarë, në Dhërmi, Jalë apo Drimadhë. Unë i mirëkuptoj të gjitha defektet që kemi trashëguar dhe e çmoj punën e të gjitha qeverive që përpiqen të vënë një farë rregulli në hapësirën publike të plazheve tona. Të mos harrojmë se ne vijmë nga koha që, menjëherë pas viteve ’90, kur u rrit sadopak niveli i konsumit, dhe u shtuan sasitë e plehrave që na duhej të nxirrnim jashtë, një pjesë e madhe, në emër të lirisë që sapo kishim fituar, i hidhte plehrat nga të mundte, nga dritarja, nga ballkoni, ngado. Tani kjo nuk ndodh më. Edhe në rrugë ka më shumë rregull se më parë. Dikur të vije rripin quhej fyerje për krenarinë fodulle të shqiptarit që sfidonte çdo ligj e çdo rregull, tani kjo gjë nuk ndodh më. Pra, i mirëkuptoj të gjitha dhe jam i bindur se që të bëhemi si gjithë Europa në respektimin e hapësirës dhe të tjetrit, duhet kohë. Ajo që nuk kuptoj është diçka tjetër.
Plazhet e tejmbushura me njerëz janë një publik i gatshëm që do ta kishte zili cilido artist apo këngëtar. Mirëpo, në plazhet tona, në çdo 100 metra, ka nga një qendër të llahtarshme zëri që transmeton muzikë me një tonalitet që të çmend dhe nuk pyet fare se edhe hapësira ku ne pushojmë nuk është klub apo disko. Kjo ndotje e llahtarshme është një krim që bëhet mbi mijëra e mijëra pushues dhe askush nuk ndërhyn. Këta kriminelë (për mua të tillë janë), nuk llogarisin fare se ata mijëra njerëz që kanë ardhur të pushojnë nuk janë spektatorë dhe nuk kanë paguar që të dëgjojnë gjithë marrëzitë e reperave shqiptarë të Kosovës apo Shqipërisë, muzikën hip-hop të fshatarëve shqiptarë që jo vetëm të acaron, por të bën që të të vijë turp pse i përket kësaj race që nuk ndreqet dhe nuk bëhet më. Me ç’të drejtë lëshojnë në ajër këta kriminelë lloj-lloj tingush me «ma ngule» e «ta ngula» me zë aq të lartë sa e ke të vështirë të merresh vesh edhe me atë që ke në çadër?
Hapësira publik nuk është vetëm rëra, por janë edhe marrëdhëniet që ne ndërtojmë me njërit-tjetrin. Kjo hapësirë publike nuk mund ta zaptohet nga lloj-lloj idiotësh që shijet e tyre vulgare i shesin te një péublik që nuk ka ardhur në buzë të detit që të dëgjojë marrëzitë e një grupi të vogël zëçjerrësh që po e bastardojnë muzikën shqiptare dhe po na zhbëjnë si komb. Policia, me të drejtë, shkon dhe kontrollon zaptuesit abuzivë të plazheve, po këta zaptues kriminalë të mendjeve dhe shijeve tona kush i toleron. Si ka mundësi që askush nuk kujtohet që t’u thotë ndal këtyre mosntrave që po na shkatërrojnë shijet. A e dinë këta monstra se në plazhe ka dhe fëmijë, pleq, të huaj dhe gjithëfarësh dhe se askush nuk ka prerë biletë për të ardhur në këto koncerte banale vulgare dhe pa asnjë vlerë, por kanë ardhur të pushojnë dhe muzikën, ashtu si çadrën, kanë të drejtë ta zgjedhin vetë, jo t’ua imponojnë lloj-lloj abuzuesish me foni të çmendur.
Unë e di dhe jam i vetëdijshëm se u bënë 30 vjet dhe për fat të keq, nuk po arrijmë të nxisim muzikën e vërtetë, atë që mbështetet te poezia dhe që e zëvendëson atë. Unë nuk kam gjë as me repistat banalë apo hip-hopistat që këndojnë e ulërasin për kultin e konsumit dhe të vrasjes apo drogës. Secili mund të çmendet sipas mënyrës së vet. Ajo që nuk mund ta toleroj është pushtimi i hapësirës publike nga invazorë të tillë që ta kthejnë pushimin në plazh në një ferr të vërtetë.
Unë e di që ne shqiptarët jemi impulsivë dhe kur flasim për gjëra të zakonshme ca për t’u dukur e ca se jemi të lehtë, e ngremë zërin aq shumë sa gjithë plazhi na dëgjon. Këtë sëmundje nuk e shërojmë dot, por, ama, invazorët me altapoarlant që e kthejnë plazhin në një disko të çmendur, ata mund t’i frenojmë. (Tema) /l.m