Policia ka arrestuar një 24 vjeçar pasi ky i fundit ka qëlluar me armë zjarri në ajër në zonën e Dukagjinit.
Pas telefonatave nga banorët, forcat e rendit kanë ndërhyrë duke e arrestuar të riun banues në fshatin Theth.
Bashkë me arrestimin, policia ka sekuestruar edhe një armë zjarri kallashnikov.
Deklarata e policisë:
Telefonata në 112 nga banorët dhe reagimi në kohë i Policisë vuri në pranga 24-vjeçarin për armëmbajtje pa leje dhe prishje të qetësisë publike, duke krijuar panik tek banorët dhe pushuesit.
Qëlloi me armë zjarri automatik në ajër, kapet në flagrancë nga Policia e Shkodrës, së bashku me armën kallashnikov, me një krehër me fishekë.
Nga strukturat e policisë së Shkodrës, falë reagimit të shpejtë, u arrestua në flagrancë shtetasi K. H. 24 vjeç, banues në fshatin Theth, Shkodër.
Mbrëmjen e djeshme, në sallën operative të Policisë në numrin 112 ka ardhur telefonatë se në qendër të fshatit Theth, Shkodër një person po qëllonte me armë zjarri në ajër, duke krijuar panik te banorët dhe pushuesit.
Shërbimet e Policisë kanë reaguar me shpejtësi e profesionalizëm dhe falë bashkëpunimit të banorëve, bënë të mundur identifikimin, lokalizimin dhe kapjen në flagrancë të 24-vjeçarit, bashkë me armën e zjarrit kallashnikov, me një krehër me fishekë.
Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër për veprat penale “Mbajtja pa leje armëve luftarake dhe municionit” dhe “Prishja e qetësisë publike”.