Kampingu është një mënyrë alternative pushimesh për shumë turistë. Vlora ofron disa zona ku turistët mund të qëndrojnë me kamperat e tyre. Një nga këto pika më e preferuara është dhe zona e Radhimës.
Kryesisht janë familjarë ata që preferojnë të tilla pushime të lira dhe afër natyrës. Sipas pushuesve infrastruktura për këtë lloj turizmi në Vlorë është brenda standardeve. Një natë qëndrimi në kamping kushton 20 euro, dhe për miqtë e huaj ky çmim është mjaft i leverdisshëm. Pushuesit këtu ndihen të mirëpritur jo vetëm nga shërbimet që gjejnë, por dhe nga njerëzit dhe mjedisi që i rrethon. Disa familje Italiane që prej disa ditësh pushojnë në këtë kamping, thonë që janë shumë të kënaqur me shërbimin që ofrohet.
“Një parajsë e vërtetë jam pa fjalë. Me kamper jemi më të lirë. Këtu ka energji, ujë, lavatriçe, praktikisht nuk mungon asgjë. Kemi dy vjet që vijmë këtu, na ka pëlqyer shumë pasi uji është i pastër, njërzit gjithashtu janë shumë social dhe të zotë. Ushqimi gjithashtu është shumë i mirë”, shprehen disa pushues.
Për spanjollët, kjo është e para herë që janë në Vlorë; pushimet që ata preferojnë janë me camping dhe këtu e kanë gjetur veten të kënaqur nga natyra shërbimet dhe çmimet.
“Më pëlqen ky lloj turizmi sepse mund të lëvizësh dhe mund të shohësh shumë. Nëse të pëlqen rri, në të kundërt mund të ikësh kur të duash. Këtu është shumë bukur dhe këtë vend do tja sugjeroja edhe miqve të mi nga Spanja”.
Ndërkohë një familje gjermane shprehet se kontakti me natyrën është shumë i rëndësishëm për fëmijët dhe ata.
“Unë jam nga Gjermania dhe është hera ime e parë në Shqipëri. Vlora më pëlqen. Deti është kaq afër sa fëmijët ndjehen shumë komod. Paguajmë 20 euro nata dhe është më lirë se Kroaci dhe Mali i Zi”.
Një qytetar nga Polonia shprehet se është i mrekulluar nga deti Jon.
“Unë jam nga Polonia dhe është hera e parë që vij në Shqipëri, këtu qenka shumë bukur. Ne qëndrojmë në autokamp, çmimi është shumë i mirë. më parë qëndruam dy netë në Kroaci atje kushtonte më shumë. Një natë këtu shkon 20 euro, ndërsa në Kraoci paguam 33 euro nata”./tch
g.kosovari