Policia e Shtetit ka mohuar që veliera me 1 ton drogë të jetë parë në Sarandë, e aq më tepër që të jetë furnizuar me drogë nga Shqipëria. Në një reagim për mediat, Policia e Shtetit shprehet se kjo velierë me drogë nuk ka asnjë lidhje me Shqipërinë.
Policia më tej sqaron se nga verifikimi i bërë në regjistrat e Policisë Kufitare Sarandë, Himarë, Vlorë, Porti Jahteve Orikum dhe QNOD, për disa muaj, mjeti lundrues Veleria “MY DREAM” i kapur me drogë dhe dy personat ukrainas në bord, nuk kanë hyrje-dalje në Shqipëri.
“Sqarojmë faktin se në 15 gusht në Sarandë ka hyrë një mjet lundrues Yaht me emrin “Dream” me 3 shtetas turq në bord, të cilët kanë kryer proceduara të rregullta hyrje-dalje dhe mjeti është kontrolluar konform rregullave nga Policia Kufitare. Ky mjet nuk ka asnjë lidhje me mjetin lundrues Veleria të kapur me drogë në Greqi”, thuhet në njoftimin e policisë.
Policia e Shtetit tha se Policia Kufitare shkëmben në vijimësi informacion me homologët, me qëllim parandalimin dhe goditjen e rasteve të trafikimit të lëndëve narkotike nëpërmjet kufijve.
Më herët media greke raportuan se veliera kishte qendruar në Sarandë dhe se droga kishte si destinacion Turqinë ku do të shkëmbehej me heroinë.
g.kosovari