Barack dhe Michelle Obama po përpiqen të blejnë një pronë buzë detit në shtetin e Masaçusets, e cila i përket pronarit të Boston Celtic, Wyc Grousbeck. Sipas mediave amerikane, shtëpia luksoze është në shitje për 14,85 milionë dollarë dhe ka 7 dhoma gjumi, 9 tualete, një kuzhinë gjigante, oxhak si dhe një sipërfaqe totale prej mbi 650 m2.
Para vilës kryesore ka një plazh spektakolar, ndërsa në oborrin e mbushur me gjelbërim ka edhe një pishinë si dhe dy shtëpiza të vogla për miqtë.
Prona, e vendosur në ishullin Vreshta e Martës, ka qenë në shitje që prej vitit 2015 për 22,5 milionë dollarësh, por çmimi ka rënë vazhdimisht pasi nuk ka pasur të interesuar. Familja Obama e ka marrë me qira shtëpinë gjatë verës dhe u ka pëlqyer aq shumë sa tani duan ta blejnë.
Ishulli nuk është i huaj për familjet presidenciale. Jackie Kennedy-Onassis ka pasur një shtëpi atje deri në vitin 1994 kur u nda nga jeta, ndërsa e gjithë dinastia Kennedy e ka pasur pikë të dobët. Edhe vetë Obama kishte një shtëpi në ishull, më modeste se kjo që kërkon të blejë, të cilën e shiti vitin e kaluar për 15 milionë dollarë. Në 8 vitet që ai ka qenë President, 7 pushime verore i ka kaluar aty.