Ditën e sotme 66 punonjës të administratës së bashkisë së Selenicës janë shkarkuar nga puna.
Ndërkohë, kryetari i ri i Bashkisë së Pëllumb Binaj ka reaguar lidhur me lajmin e qarkulluar sot në media dhe ka sqaruar situatën.
Binaj ka deklaruar se largimi i tyre nga puna nuk ka prapavijë politike, por se u ka përfunduar kontrata.
Në një prononcim për mediat, kryebashkiaku i ri tha se punonjësit, gjatë kohës kur kjo bashki është drejtuar nga paraardhësi i tij, Përparim Shameti, kanë punuar në të zezë.
“Me tetor të vitit të kaluar Kontrolli i Lartë i Shtetit ushtroi një kontroll të përgjithshëm në bashkinë e Selenicës. Nga ky kontroll u gjenden 56 punonjës aso kohe të Bashkise Selenice të cilët thuajse punonin në të zezë. Pa një kontrate pune efektive, pa siguracione dhe me një rrogë 10 mijë lek te reja në muaj.
Iu bë thirrje bashkisë së Selenicës dhe kryetarit Shameti atë periudhë që t’i plotësonte të tilla kontrata dhe këta punonjës të punonin me rregulla sipas legjislacionit dhe iu la kohë deri në Mars 2019.
Në mars 2019 KLSH ushtroi një tjetër kontroll, këtë radhë jo vetëm që këto kontrata nuk ishin plotësuar por ishin shtuar edhe 10 të tjera të ngjashme me këto në të tilla kushte pra 66 persona të cilët punonin thuajse në të zezë pa një kontratë të mirëfilltë pune thjesht me një kontrate fiktive që këta persona kishin nënshkruar për të punuar në bashkinë selenicë deri në qershor të këtij viti.
Tashmë që qershori kaloi këta persona kanë mbetur pa pune sepse i ka selektuar vetë kontrata, le të themi i ka djegur, i ka pushuar nga puna vete kontrata dhe jo unë si kryetar i bashkisë Selenicë. Unë nuk kam pranuar qëkur mora detyrën që të nënshkruaj një kontrate të njëjte fiktive dhe pa rregulla me këta persona. Në bashkinë Selenicë që prej fillimit të punës sime do të punësohen persona me rregulla brenda legjislacionit të punës”, tha Binaj.
/a.r