“Evropa do të bashkohet vërtetë kur të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor të anëtarësohen në BE”, tha kancelarja gjermane Angela Merkel.
Vërejtjet e Merkel përfaqësuan një rikthim të fortë të angazhimit të Berlinit për zgjerimin e BE-së, një ide që është jopopullore tek disa qeveri në BE dhe shumë votues në Evropën Perëndimore. Presidenti francez Emmanuel Macron ka qenë veçanërisht skeptik për zgjerimin vitet e fundit.
Kancelarja tha se uniteti Evropian nuk do të ishte i plotë derisa i gjithë Ballkani Perëndimor të anëtarësohet në BE.
“Nëse i shikoni në mënyrë gjeostrategjike dhe gjithashtu shikoni hartën, atëherë do të ketë vetëm një Evropë të bashkuar vërtet me shtetet e Ballkanit Perëndimor,” u tha Merkel gazetarëve në qytetin hungarez të Sopron.
Gjashtë shtete të Ballkanit Perëndimor nuk janë anëtare të BE-së. Serbia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria janë vende kandidate zyrtare për anëtarësimin në BE, ndërsa Bosnja-Hercegovina dhe Kosova klasifikohen si “kandidatët e mundshëm”.
Si Serbia dhe Mali i Zi kanë qenë të angazhuar në bisedime të anëtarësimit për vite me radhë. Ministrat e BE vendosën në qershor të vonojnë një vendim nëse do të fillojnë bisedimet e anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë deri të paktën në tetor, kryesisht për shkak të rezistencës nga Franca dhe Holanda.
Më 19 gusht 1989 më shumë se 600 qytetarë nga Republika e atëhershme Demokratike Gjermane, RDGJ arritën të kalonin kufirin hungarez në Sopron dhe të hynin në Austri përmes një porte kufitare të hapur për disa orë. Ky eksod i qytetarëve që nisi nga një piknik paneuropian shënoi edhe çarjen e parë të fortë pas Perdes së Hekurt. Pak muaj më vonë ra edhe Muri i Berlinit. Pikërisht për të përkujtuar 30 vjetorin e kësaj ngjarjeje, Merkel shkoi në Hungari.
g.kosovari