Pas bizneseve të turizmit, fokusi i luftës kundër informalitetit është zhvendosur në sektorin e karburanteve. Prej gati dy javësh administrata fiskale po kalon në sitë jo vetëm pikat e shitjes me pakicë, por të gjithë zinxhirin e prodhimit dhe tregtimit të karburanteve. “Janë kontrolluar magazinat në Porto Romano, po kontrollet “Vlora Petrolifera” dhe uzinat e prodhim rafinimit në Ballsh dhe në Fier”, shprehet ministrja e Financave Anila Denaj.
Drejtori i përgjithshëm i doganave, Arlind Gjokuta deklaroi se brenda javës do të publikohen të gjitha emrat e kompanive të gjetura në shkelje, por edhe doganierëve që janë përfshirë në abuzime.
“Brenda javës do të kemi të gjithë kuadrin e qartë se çfarë ndodh në sektorin e karburanteve me të gjitha shkeljet si dhe do të listojmë subjektet por edhe inspektorët e doganave që do të shkojnë për masë”, shprehet Gjokuta.
Sipas Ministres së Financave, aksioni kundër informalitetit ka dhënë rezultatet e para në buxhet duke rritur ndjeshëm të ardhurat që mblidhen nga akciza.
“Të ardhurat nga akciza në korrik janë rritur me 17.8 për qind krahasuar me vjet. Ndërkohë që edhe për gushtin vihet re e njëjta rritje e fortë”, shprehet Denaj.
Gjatë muajit të kaluar administrata fiskale ka kontrolluar kompanitë e karburanteve për periudhën 1 janar 2018 deri më sot. Por Denaj paralajmëroi se nuk mbaron këtu. Veç karburanteve, nga 1 shtatori kontrollet do të shtrihen edhe tek bizneset që tregtojnë apo prodhojnë mallrat e tjerë të akcizës si cigaret apo alkoolin. /l.m