Qeveria nuk do të lejojë dëmtimin e malit të Tomorrit nga biznesi i guroreve që veprojnë aty. Pavarësisht vendimit të Gjykatës Administrative të Apelit në favor të subjekteve private, ministri i Turizimit, Blendi Klosi, deklaroi se mali i Tomorrit do të shpallet Park Kombëtar, duke zgjeruar edhe hartën e mbrojtjes së tij.
“Do të marrim një vendim të shpejtë të Këshillit Kombëtar të Rregullimit të Territorit për të miratuar zgjerimit të hartës së Parkut Kombëtar, do të marrim një vendim qeverie për ta rishpallur Park Kombëtar, pasi hilet e gjykatave për të zgjatur me vite, do ta shkatërronte përfundimisht atë zonë, duke e bërë të parikuperueshme”, tha Klosi.
Gjatë një dëgjese me ekspertë të mjedisit, pedagogë të Fakultetit të Shkencave të Natyrës apeluan për mbrojtjen e trashëgimisë natyrore që mbart mali i Tomorit.
“Shumë pjesë të këtij mali mbetën jashtë zonës dhe pastaj u masakruan. Sigurisht këtu kanë përgjegjësi ligjore personat që kanë firmosur në dokumentet e ndikimit në mjedis”, tha Ferdinand Bego, zv.Dekan i Fakultetit të Shkencave të Natyrës.
Ministria e Mjedisit do të ankimojë vendimin e Gjykatës Administrative të Apelit, ndërsa qytetarë të qarkut të Beratit kane nisur mbledhjen e firmave për shpalljen e malit të Tomorrit, Park Kombëtar.
g.kosovari