Restorant “Panorma” në pronësi të Mihal Kokëdhimës që sulmoi një grup turistësh spanjollë, tashmë është mbyllur. I ndërtuar pa leje në një nga zonat më të bukura bregdetare në Shqipëri, në Porto Palermo të Himarës, restoranti tashmë është vizituar jo nga turistët, por nga policia!
Korrespondenti i Report Tv, Limoz Didani, ka qenë sot pranë restorantit i cili shërben edhe si hotel, ku thotë se biznesit i është vënë një karton me shkrim dore me shënimin: MBYLLUR, ndërkohë që i pranishëm atje është vetëm një efektiv i forcave të rendit.
Gazetari sqaron se kanë qenë vetë të afërm të Kokëdhimës që kanë mbyllur biznesin si dhe kanë hequr shezlonet për pushuesit, ndërsa efektivi i policisë qëndron në distancë, jashtë biznesit.
Zona që Mihal Kokëdhima kishte zaptuar pa leje me shezlone private tashmë është shfrytëzuar nga turistët të cilët kanë shkuar të bëjnë plazh me çadrat e tyre.
Turistet sot ne plazhin qe Mihal Kokedhima kishte zaptuar me shezlone
Mihal Kokëdhima, pronari i restorantit “Panorma” është në burg, ku sot gjykata e Vlorës i dha masën e sigurimit perosonal “arrest me burg” për kanosjen që i bëri turistëve spanjollë. Këta të fundit disa ditë më parë kishin shkuar në restorantin e Kokëdhimë por porosia e tyre u vonua dhe ata u larguan nga restoranti. Mihal Kokëdhima i ka ndjekur pas dhe i është hedhur mbi kofanon e makinës duke i thyer xhamin e përparmë me grushte. Ka qëndruar mbi kofano përreth 3 kilometra rrugë me automjetin në ecje dhe ka zbritur pas thirrjes së tretë që i bëri shoferi dhe pasagjeri shqiptar në makinën e turistëve. Restoranti Panorma nuk është me leje.
Shqiptarja.com zbuloi dje në një bisedë me kryetarin e Bashkisë së Himarës Jorgo Goro, se në vitin 2012 bashkia e ka shembur si objekt pa leje. Por Mihal Kokëdhima, kushëri i Koço Kokëdhimës, i bërë deputet në vitin 2013, tashmë kryetar i partisë Zgjidhja, e ka futur objektin në proces legalizimi, “Panorma” është restorant, hotel, ndërkohë që ka edhe territor me shezlone. Është ndërtuar mbi plazh në një nga zonat bregdetare më të mrekullueshme në jug, Porto Palermo. Prej vitesh, ky biznes vijonte aktivitetin e tij pa leje.
Pyetja që ngrihet është se si është ndërtuar në shkëmb në një zonë të mrekullueshme siç është Kështjella e Porto Palermos, kur në fakt ndërtimet buzë detit nuk lejohen. /l.m