Partia Demokratike e Shkodrës nuk do të lejojë në asnjë mënyrë që të hënën të konstituohet këshilli bashkiak i dalë nga zgjedhjet e 30 qershorit. Përmes një deklarate për shtyp bëhet e ditur se “përpjekja e 30 qershorit për të instaluar një pushtet monist është refuzuar në mënyrë plebishitare nga elektorati i Shkodrës”.
“Çdo përpjekje për të injoruar me arrogance mesazhin e shumicës së qytetarëve të Bashkisë Shkodër, përmes thirrjeve të paligjshme për mbledhjen e institucioneve moniste të demaskuara tanimë botërisht i konsiderojmë një provokim ndaj rendit normal të punëve në komunitetin tonë dhe përsëritje e veprimeve dhunuese, që kasta puniste e ushtarakëve të përdorur të Tiranës kërkon t’i rinovojë 30 vite pas përmbysjes së regjimit të etërve”, thuhet në deklaratën e PD, dega Shkodër.
Thirrja dhe akuza kryesore i drejtohet Edi Ramës: Larg duart nga Shkodra dhe mos e shndërro kryeqendrën e Gegnisë në një fushëbetejë të parë të përplasjes së reparteve tuaja paramilitare me qytetarët e lirë!
Ju duhet t’i kërkoni falje dhe të tërhiqeni nga Shkodra në pritje të garës së ndershme dhe jo të vijoni aksionin uzurpues ndaj saj! Qytetarëve të Shkodrës i bëjmë thirrje që ditën e hënë të bashkohen me anëtarët e Këshillit Legjitim Bashkiak, deputetë dhe kryesinë për të protestuar paqësisht në mbrojtje të autonomisë vendore, të drejtave pluraliste dhe demokratike që shoqëtia shkodrane ka promovuar në histori.
g.kosovari