Kryeministri në dorëheqje i Kosovës, Ramush Haradinaj është shprehur në favor të vazhdimit të dialogut me Serbinë mirëpo, sipas tij, ai duhet të jetë pa kushte.
Përmes një postimi në Twitter, Haradinaj, ka thënë se qeveria i ka prezantuar vendeve të Kuint-it dhe Bashkimit Evropian, draft-marrëveshjen gjithëpërfshirëse ku përfshihen tema të papërfunduara për njohje të dyanshme në kufijtë ekzistues.
“Pajtohem për nevojën e normalizimit të raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Qeveria i ka prezantuar Kuint-it dhe BE-së draftin e marrëveshjes gjithëpërfshirëse që përfshin temat për njohje të dyanshme në kufijtë ekzistues. E ritheksoj se dialogu duhet të jetë pa vonesa dhe pa kushte. Tregun për njohjen”, ka shkruar Haradinaj.
Deklarimi i Haradinaj, vjen dy ditë pasi vendet e Kuint-it (Franca, Gjermania, Italia, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara), përmes një deklarate kanë kërkuar nga Kosova dhe Serbia të shmangin veprime që do të pengonin një marrëveshje përfundimtare. Thirrjes së SHBA-së dhe BE-së për të shfuqizuar taksën, Haradinaj, deri më tani, i është përgjigjur negativisht. /l.m