Një krizë e re politike po hapet me shpejtësi në kryeqendrën e Veriut. Nëse akuzat e Partisë Demokratike lidhur me dënimin e kryebashkiakut të ri të Shkodrës Valdrin Pjetri në Itali, do të rezultojnë të vërteta, në Shkodër do të ketë zgjedhje të reja. Dhe pikërisht këtu qëndrojnë edhe mundësia e zhvillimit të krizës së re. Nëse Valdrin Pjetri ‘digjet’ nga ligji i dekriminalizimit, nuk jemi më në kushtet e nenit 161 të Kodit Zgjedhor, ku KQZ-ja mund të përsërisë zgjedhjet. Data për zhvillimin e zgjedhjeve në Shkodër duhet të dekretohet nga Presidenti Ilir Meta. Pra ‘topi’ kalon automatikisht në fushën e Ilir Metës. Neni 161 i Kodi Zgjedhor ka përcaktuar kushtet kur KQZ vendos për përsëritjen e zgjedhjeve, pa ndërhyrë Presidenti. Neni 161 parashikon që “pas përfundimit të procesit të ankimit, jo më vonë se 3 ditë nga nxjerrja e rezultatit të zonës zgjedhore, KQZ-ja kryesisht ose me kërkesë të subjektit, shpall të pavlefshme dhe urdhëron përsëritjen e zgjedhjeve në të gjithë zonën zgjedhore, kur pavlefshmëria e shpallur në një ose disa qendra votimi, sipas nenit 160 të këtij Kodi, ndikon në ndarjen e mandateve në zonën zgjedhore ose në shkallë vendi”. Procesi ankimor për zgjedhjet në Bashkinë e Shkodrës ka përfunduar dhe gjykata i ka dhënë mandatin Valdrin Pjetrit në datën 29 korrik, që do të thotë se nuk kemi të bëjmë me pavlefshmëri në zgjedhje, por vetëm me zgjedhje të reja.
Ndërprerja e mandatit.
Nëse akuzat e PD ndaj Valdrin Pjetrit do të dalin të vërteta, kryebashkiaku i ri nuk do ta bëjë betimin. Ai gjithashtu nuk do të japë dorëheqjen për një detyrë, të cilën nuk e ka. Mundësia e vetme e Pjetrit është të paraqitet në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe të mos pranojë mandatin. Neni 61 i ligjit nr. 139/2015 për vetëqeverisjen vendore parashikon që mandati i kryetarit të bashkisë përfundon përpara afatit në rastet kur nuk pranon të bëjë betimin, jep dorëheqjen, shkarkohet etj. Pika e fundit e këtij neni parashikon që në rastet e përfundimit të parakohshëm të mandatit, organizohen zgjedhjet e pjesshme për kryetarin e bashkisë, në përputhje me dispozitat e Kodit Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë. Këtu në lojë do të hyjë kreu i shtetit Ilir Meta, i cili është përfshirë në një vorbull konfliktesh me shumicën qeverisëse.
Kodi zgjedhor dhe roli i Metës.
Neni 10 i Kodit Zgjedhor, parashikon që data e zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore caktohet me dekret nga Presidenti i Republikës. Në rast të ndërprerjes së mandatit, për shkaqet e parashikuara në nenin 115 të Kushtetutës, zgjedhjet mbahen jo më parë se 30 ditë dhe jo më vonë se 45 ditë nga data e njoftimit të ndërprerjes së mandatit. Sipas Kodit Zgjedhor, në çdo rast, Presidenti i Republikës nxjerr dekretin jo më vonë se 48 orë nga njoftimi për ndërprerjen e mandatit. Por a do ta zbatojë Meta Kodin Zgjedhor për të dekretuar zhvillimin e zgjedhjeve të reja në Shkodër, nëse vërtetohen akuzat ndaj Pjetrit? Kreu i shtetit nuk i njeh zgjedhjet e 30 qershorit, të cilët i ka dekretuar vetë dhe më pas anuluar. Sipas Metës zgjedhjet lokale janë në 13 tetor. Në këto kushte, Meta ka në dorë zgjidhjen e krizës në Shkodër ose thellimin e saj. Nëse Meta nuk do të dekretojë zgjedhjet e reja në Shkodër, duke njohur vetëm 13 tetorin, në këto kushte në krye të Bashkisë së Shkodrës do të qëndrojë Voltana Ademi, deri kur të zhvillohen zgjedhjen e reja.
Sinjali i PS dhe mundësia për PD.
Zhvillimi i zgjedhjeve të reja në Shkodër është një mundësi për Partinë Demokratike për të hequr dorë nga strategjia e bojkotit dhe vetëasgjesimit politik. PD ka mundësi të marrë pjesë në zgjedhje jo vetëm për kryetarin e Bashkisë në Shkodër, por edhe për Këshillin Bashkiak. Jo rastësisht, Partia Socialiste ka ‘ngrirë’ procedurat për konstituimin e këshilli bashkiak në Shkodër. Burime për Report Tv bënë me dije se do të pritet procesi i verifikimit të dokumenteve të bëra publike nga PD ditën e djeshme lidhur me kandidatin socialist Valdrin Pjetri. Nëse Pjetri rezulton se është në shkelje të ligjit të dekriminalizimit, edhe këshilltarët e zgjedhur nuk do ta bëjnë betimin. Kjo lëvizje tregon për një vullnet të Partisë Socialiste për t’i hapur rrugën Partisë Demokratike për të hyrë në zgjedhje.
Skenari.
Nëse Valdrin Pjetri ‘digjet’ nga ligji i dekriminalizimit, nuk jemi më në kushtet e nenit 161 të Kodit Zgjedhor, ku KQZ-ja mund të përsërisë zgjedhjet, por data për zhvillimin e zgjedhjeve në Shkodër duhet të dekretohet nga Presidenti Ilir Meta.
Meta.
Po a do ta zbatojë Meta Kodin Zgjedhor për të dekretuar zhvillimin e zgjedhjeve të reja në Shkodër, nëse vërtetohen akuzat ndaj Pjetrit? Kreu i shtetit nuk i njeh zgjedhjet e 30 qershorit, të cilët i ka dekretuar vetë dhe më pas anuluar.
(Shqiptarja.com)
/a.r