Në kohën kur po flitet për shpërndarje të Kuvendit e zgjedhje të jashtëzakonshme, LDK-ja dhe Vetëvendosja janë duke dhënë edhe shenjat e para për një bashkëpunim parazgjedhor.
Sot në takim janë parë krerët e dy partive, Isa Mustafa e Albin Kurti, në një prej restoranteve të Prishtinës.
Pas gjendjes së krijuar në vend, me dorëheqjen e kryeministrit Ramush Haradinaj, në Kosovë ende nuk dihet nëse do të ketë zgjedhje ose jo.
Teksa më 22 gusht është caktuar seanca për shpërndarjen e Kuvendit, ka parti që ende nuk kanë dorëzuar nënshkrime.
Ndërkohë, LDK-ja dhe Vetëvendosja ka kohë që kanë filluar bashkëpunimin për rrëzimin e Qeverisë e edhe takime për koalicione të mundshme.
Në këto çaste, një takim po mbahet mes dy liderëve të këtyre partive, në një nga restorantet e kryeqytetit.
Mediat nuk janë lejuar, por pritet të kuptohet pas takimit nëse do të ketë ndonjë marrëveshje mes dy liderëve opozitarë.
Këtë takim e pati konfirmuar në një intervistë për emisionin Pressing në T7 edhe lideri i LDK-së, Isa Mustafa.
g.kosovari