Detaje të reja kanë dalë nga ekzekutimi në mes të qytetit i 48-vjeçarit, Armando Gjini, që njihej si pjesë e grupit të Met Kananit. Vrasja e tij dyshohet se është bërë nga njerëz me pagesë, profesionistë në këtë fushë.
Për vrasjen e Armando Gjinit janë shoqëruar në komisariat mbi 10 persona të cilët janë marrë në pyetje, por janë lënë sërish të lirë. Ndërsa policia po heton në disa pista. Një më kryesoret është ajo e hakmarrjes pasi familja e Gjinit ishte përfshirë në një gjakmarrje në të kaluarën. Pistë tjetër ku po hetohet është ajo e borxheve nga ana e viktimës, bën me dije report tv. Ndërsa tre pista të tjera jo më pak të rëndësishme janë e kaluara e Armando Gjinit në Belgjikë, prishja e pazareve të drogës, si dhe marrëdhëniet me grupin e Met Kananit. Viktima u arrestua si anëtar i bandës por më pas u lirua pas 72 orëve, lëvizje kjo që mund të ketë sjellur dyshime në grup.
Gjini u ekzekutua rreth orës 11:30 pranë katedrales së qytetit ku ai ishte në makinë se bashku me dy fëmijët e tij të mitur, ndërsa pak më larg ka qenë edhe bashkëshortja e tij, e cila ishte ndalur në një market.
Pas vrasjes se Armando Gjini që njihej ndryshe si Tonin Gjini, në Kodër-Rrëshen u gjet një makinë e djegur e cila dyshohet se është lënë nga autorët. Kujtojmë se Gjini i kishte shpëtuar një tjetër atentati 3 muaj më parë, ku në makinën e tij u gjet një pako eksplozivi që më pas u shpërthye nga xhenierët e policisë.
Gjini u arrestua vitin e kaluar në datë 12 maj të vitit të kaluar si pjesë e grupit të baronit të drogës, Met Kanani së bashku me 37 persona të tjerë, ndërsa u sekuestruan 8 ton drogë. Ushtria e Met Kananit shkëmbente kanabisin nga Shqipëria me heroinë nga Turqia. Por 4 ditë pas arrestimit Gjini u lirua nga burg, ndërsa hetimet e para janë pikërisht në këtë pistë.
g.kosovari