Këshilltari amerikan i Sigurisë Kombëtare John Bolton tha se Presidenti Donald Trump dëshiron të shohë një dalje të suksesshme të Britanisë nga Bashkimi Evropian, të cilën Uashingtoni do ta mbështeste me një marrëveshje të tregtisë së lirë mes SHBA dhe Mbretërisë së Bashkuar.
Zoti Bolton, i cili ndodhet në Londër për dy ditë bisedime me zyrtarët britanikë, po kërkon përmirësimin e marrëdhënieve mes dy vendeve me Kryeministrin Boris Johnson pas tensioneve të herë pas hershme me ish kryeministren Theresa May.
Ndërsa Mbretëria e Bashkuar përgatitet të largohet nga Bashkimi Evropian më 31 tetor, ndryshimi i saj më i madh gjeopolitik që nga Lufta e Dytë Botërore, shumë diplomatë presin që Londra të bëhet gjithnjë e më e varur nga Shtetet e Bashkuara.
Një mesazh kryesor që po përcjell zoti Bolton është se Shtetet e Bashkuara do të ndihmojnë në zbutjen e daljes së Britanisë nga BE-ja me një marrëveshje të tregtisë së lirë për të cilën po negociohet nga përfaqësuesi amerikan i tregtisë Robert Lighthizer dhe homologja e tij britanike, Liz Truss. /l.m